
Shtetet e Bashkuara njoftuan se do të zhvillojnë një stërvitje ajrore në shkallë të gjerë në Lindjen e Mesme, ndërsa Irani prezantoi atë që e përshkroi si një aeroplanmbajtëse për dronë dhe tensionet rajonale vazhdojnë të përshkallëzohen.
Komanda Qendrore e SHBA-së (CENTCOM) tha se do të zhvillojë një stërvitje për gatishmëri operacionale në të gjithë zonën e saj të përgjegjësisë, me qëllim demonstrimin e aftësisë për të dislokuar, shpërndarë dhe mbështetur fuqinë ajrore luftarake.
Stërvitja zhvillohet në një kohë kur SHBA ka forcuar praninë ushtarake në rajon dhe janë shtuar shqetësimet për një përballje të mundshme me Iranin.
Sipas CENTCOM, stërvitja synon të përmirësojë shpërndarjen e mjeteve dhe personelit, të forcojë partneritetet rajonale dhe të përgatisë reagime të shpejta në të gjithë zonën e komandës, përcjell Ynet.
Ekuipazhet ajrore do të dislokohen në disa lokacione rezervë, me miratimin e vendeve pritëse dhe në koordinim të ngushtë me autoritetet civile dhe ushtarake të aviacionit, thuhet në deklaratë.
Gjenerallejtënant Derek France, komandant i komponentit ajror të Komandës Qendrore të SHBA-së, tha se efektivët amerikanë po tregojnë se mund të operojnë dhe të kryejnë misione në kushte sfiduese, me siguri, saktësi dhe bashkëpunim me partnerët.
“Kjo ka të bëjë me ruajtjen e angazhimit tonë për të pasur aviatorë të gatshëm për luftë dhe me zbatimin e disiplinuar të nevojshëm për të mbajtur fuqinë ajrore të disponueshme kur dhe aty ku nevojitet,” tha France.
Njoftimi erdhi pas mbërritjes në Lindjen e Mesme të aeroplanmbajtëses amerikane Abraham Lincoln, e shoqëruar nga disa anije luftarake, sipas dy zyrtarëve amerikanë të cituar nga Reuters. Dislokimi ndodh mes spekulimeve se Presidenti Donald Trump mund të urdhërojë së shpejti veprime ushtarake kundër Iranit.

New York Times raportoi se zyrtarë në Lindjen e Mesme kanë shprehur shqetësime në rritje se SHBA mund të godasë Iranin në ditët në vijim dhe se çdo kundërpërgjigje mund të përfshijë sulme nga Irani dhe aleatët e tij ndaj bazave amerikane në rajon.
Grupi luftarak i aeroplanmbajtëses përfshin disa shkatërrues (destroyer) që operojnë nën komandën e CENTCOM.
Të enjten, Trump tha se Shtetet e Bashkuara kanë një “armadë” që po lëviz drejt Iranit, ndërsa shprehu shpresën se nuk do të ketë nevojë të përdoret. Raportet thanë se shkatërruesit janë të pajisur me raketa lundruese Tomahawk, me rreze veprimi rreth 1.450 deri në 2.400 kilometra, të afta për të goditur objektiva strategjikë thellë brenda Iranit nga pozicione të largëta detare.
Ushtria amerikane zhvilloi gjithashtu një stërvitje të ngjashme gjatë fundjavës për të demonstruar aftësinë e saj për të dislokuar fuqi ajrore luftarake.
Një zyrtar i lartë iranian tha javën e kaluar se Teherani do ta konsideronte çdo sulm amerikan si një “luftë të plotë” kundër vendit. Në Teheran, në Sheshin e Revolucionit u shfaq një billboard i madh që paraqiste një aeroplanmbajtëse amerikane nën sulm, me avionë luftarakë në kuvertën e saj.
Ndërkohë, media iraniane e lidhur me shtetin vazhdoi të dërgojë sinjale paralajmëruese. Press TV publikoi pamje të asaj që e përshkroi si aeroplanmbajtësja e dronëve Shahid Bagheri, duke thënë se dronët janë të vendosur në bord dhe të gatshëm për t’iu përgjigjur çdo sulmi ndaj Iranit.

Në të njëjtën kohë, Turqia po përgatitet për mundësinë e një vale refugjatësh nëse qeveria iraniane do të rrëzohej. Middle East Eye raportoi se Ministria e Jashtme e Turqisë ka informuar deputetët për zhvillimet e fundit në Lindjen e Mesme, veçanërisht në Iran dhe Siri.
Gjatë një seance me dyer të mbyllura të komisionit parlamentar për punët e jashtme, zyrtarët theksuan se Turqia nuk mbështet ndërhyrje të huaja apo destabilizim në rajon. Sipas vlerësimit të tyre, rënia e qeverisë iraniane mund të shkaktojë migrim në shkallë të gjerë.
“Ne po përgatitemi për çdo skenar, me plane A, B dhe C,” tha një zyrtar, sipas raportimit. “Besojmë se në rast migrimi duhet të ketë një zonë tampon, në mënyrë që ata që mbërrijnë të qëndrojnë në anën iraniane.”
Më herët këtë muaj, media turke raportoi se Ankaraja ka përfunduar një sistem të gjerë pengesash teknologjike përgjatë kufirit të saj 560 kilometra me Iranin. Masat përfshijnë mbi 200 kulla elektro-optike, kulla shtesë të pajisura me ashensorë, një mur modular betoni rreth 380 kilometra i gjatë dhe qindra kilometra hendekë mbrojtës.