
Një histori e pazakontë, që nisi në pistat e borës dhe përfundoi në botën e krimit ndërkombëtar, mori fund mbrëmjen e kaluar në Ambasadën e Shteteve të Bashkuara në Meksiko Siti. Ryan James Wedding, ish-snowboarder olimpik dhe më pas një nga trafikantët më të kërkuar të FBI-së, u vetëdorëzua autoriteteve amerikane pas më shumë se dy dekadash aktivitet kriminal.
Wedding kërkohej për një karrierë rreth 20-vjeçare në trafikimin e drogës, fillimisht marijuanë dhe më pas dhjetëra tonelata kokainë të transportuara përtej kufijve të Amerikës së Veriut. Ai akuzohet gjithashtu për urdhërimin e disa vrasjeve, përfshirë eliminimin e një partneri të hershëm, i cili më vonë kishte bashkëpunuar me FBI-në si informator.
Dorëzimi i tij u konfirmua pas një udhëtimi në Meksiko Siti të Drejtorit të FBI-së, Kash Patel, i cili njoftoi se trafikanti kanadez ishte arrestuar zyrtarisht nga një ekip i specializuar HRT (Hostage Rescue Team) brenda ambienteve të Ambasadës së SHBA-së, menjëherë pasi Wedding u paraqit vullnetarisht aty. Sipas autoriteteve, ai është transportuar tashmë me avion drejt Los Anxhelosit, në kuadër të një marrëveshjeje të arritur paraprakisht.

Ende nuk ka informacion të qartë nëse dorëzimi është ndërmjetësuar nga një ekip ligjor. Avokati i tij i mëparshëm, me bazë në Toronto, është arrestuar gjithashtu si pjesë e hetimeve, duke shtuar dyshime mbi rrjetin mbështetës që Wedding kishte ndërtuar ndër vite.
Në javët që paraprinë dorëzimin, një llogari shtatëvjeçare në Instagram u riaktivizua dhe u riemërua @bossryanw. Llogaria publikoi imazhe të krijuara me inteligjencë artificiale, përfshirë manipulime të fytyrës së Ryan Wedding në fotografi të Jeffrey Epstein. Ajo fitoi shpejt më shumë se 70 mijë ndjekës, por autoritetet besojnë se bëhet fjalë për një llogari tallëse pa lidhje reale me vetë Wedding.
Me arrestimin e tij, përfundon një nga ndjekjet më të gjata të FBI-së ndaj një figure që për dekada u fsheh mes sportit elitar, rrjeteve të krimit të organizuar dhe identiteteve të rreme, duke u shndërruar nga atlet olimpik në simbol të kontrastit ekstrem mes famës dhe botës së errët të trafikut ndërkombëtar, shkruan Borderland Beat.
