Vendosni fjalën kyçe....

Arrestohen 3 persona për futje të drogës në burgun e Elbasanit, mes tyre një punonjës policie


Tre persona janë arrestuar në IEVP Elbasan, mes tyre një punonjës policie i burgjeve, një familjare e një të paraburgosuri dhe një i paraburgosur, të dyshuar për futje të lëndëve narkotike brenda institucionit.

Operacioni u finalizua nga Shërbimi i Kontrollit të Brendshëm në Sistemin e Burgjeve, pas një hetimi disa-mujor të zhvilluar me metoda speciale nën drejtimin e Prokurorisë së Elbasanit.

Sipas hetimeve, të dyshuarit kishin ngritur një skemë bashkëpunimi për futjen e drogës në burg, me qëllim përfitimi financiar.

Njoftimi:

Shërbimi i Kontrollit të Brendshëm në Sistemin e Burgjeve (SHKBB) ka finalizuar një operacion të rëndësishëm kundër veprimtarisë kriminale në Institucionin e Ekzekutimit të Vendimeve Penale (IEVP) Elbasan, pas një hetimi të thelluar disa-mujor të zhvilluar nën drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan.

Hetimi, i kryer përmes metodave speciale të hetimit, ka zbuluar një mekanizëm të mirëorganizuar bashkëpunimi për futjen e lëndëve narkotike brenda institucionit penitenciar, me qëllim përfitimin financiar.

Në zbatim të urdhrit të ekzekutimit të datës 22 janar 2026, bazuar në vendimin nr. 784, datë 19 dhjetor 2025, autoritetet kanë ekzekutuar masën e sigurisë “Arrest me burg” ndaj tre personave nën hetim. Të arrestuarit janë:

N.K., punonjës policie në IEVP Elbasan

E.K., familjare e një të paraburgosuri

G.S., i paraburgosur në IEVP Elbasan

Sipas të dhënave hetimore, personat e përfshirë dyshohet se kanë bashkëpunuar për të futur lëndë narkotike në ambientet e burgut, duke shfrytëzuar pozicionin dhe lidhjet e tyre, në shkelje të rëndë të ligjit dhe rregullave të sigurisë penitenciare.

Materialet procedurale janë referuar Prokurorisë për veprime të mëtejshme ligjore.