Vendosni fjalën kyçe....

Bardhi: Rama e quajti Trump-in turp i njerëzimit, nuk mund të bëhet propagandë mbi SHBA



Kreu i grupit parlamentar të PD, Gazment Bardhi, akuzoi sot mazhorancën dhe kryeministrin Edi Rama për moskoherencë dhe propagandë, lidhur me projektligjin për pjesëmarrjen e Shqipërisë në Bordin e Paqes.

Bardhi vuri në dukje kontradiktat mes deklaratave të mëparshme të Ramës, i cili e kishte quajtur Donald Trump “turp i njerëzimit”, dhe faktit që sot SHBA po fton Shqipërinë të marrë pjesë në një organizëm ndërkombëtar për paqe.

“Mendova se do të niste fjalën duke kërkuar ndjesë për faktin se Rama e ka konsideruar Trump si turpi i njerëzimit, i vetmi lider botëror që i është drejtuar presidentit të SHBA me këtë gjuhë. Deklaratë që vë në rrezik sigurinë dhe marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Kosovës,” tha Bardhi.

Ai gjithashtu kritikoi procedurat e shpejtuara të grupit të PS, duke theksuar se kërkesa e Këshillit të Ministrave duhet të kishte ardhur para kërkesës së PS për procedurë të përshpejtuar, dhe se urgjenca e votimit nuk ishte shpjeguar për deputetët dhe qytetarët.

Bardhi e përfundoi fjalën duke theksuar se nuk mund të bëhet propagandë mbi SHBA dhe presidentin e saj, duke sugjeruar se foltorja e sotme duhej të përfshinte dy ndjesa të domosdoshme për shqiptarët.