Vendosni fjalën kyçe....

Lamallari prezanton paketën e ndryshimeve për Kodin Penal: Ashpërsim dënimi për abuzimet seksuale, parkimin e dyfishtë e ndërtimet pa leje


Ministri i Drejtësisë Besfort Lamallari është prezent në Komisionin e Ligjeve duke prezantuar paketën e ndryshimeve për Kodin Penal, që do të miratohet në javën pasardhëse.

Korrigjimet në Kodin Penal ekzistues parashikojnë ashpërsimin e veprave penale me natyrë seksuale në raport me fëmijët, trafikimin e qenieve njerëzore apo shfrytëzimin e njeriut.

Ashpërsime do të ketë dhe për zaptimin e paligjshëm të tokës dhe ndërtimet pa leje, sidomos për zonat e mbrojtura. Rishikime do të ketë dhe për dënimin e nëpunësve publikë, zjarrvënësit kur qëllimi është tjetërsimi i tokës.

Dënime të ashpra do të ketë dhe për parkimin e dyfishtë. Ndërkohë siç është thënë dhe më parë, gazetarët do të përjashtohen nga përgjegjësia penale për shpifje si dhe do të forcohet dënimi i atyre që u kërcënojnë sigurinë.

“Ashpërsojnë veprat penale me natyrë seksuale në raport me fëmijët. Trafikimi i qenieve njerëzore, përjashtohet cdo justifikim me pëlqimin e viktimave. Zero tolerancë për shfrytëzimin e njeriut nga njeriu. Ashpërsohen ndeshëm dënimet për zënien e paligjshme të tokës dhe ndërtimet pa leje, sidomos në zonat e mbrojtura.

Dënimet më të ashpra kur këto bëhen nga nëpunës publikë. Ashpërsohet dënimi për zjarrvënëset kur ka pasoja apo bëhet me qëllim tjetërsimin e tokës. Dënohet parkimi i dyfishtë më shumë kur pengon mjetet emergjente. Mbrojtja e gazetarëve, përjashtohet përgjegjësia penale për shpifje kur bëhet në mirëbesim, dhe forcohet dënimi i atyre që kërcënojnë sigurinë e tyre.”, tha ndër të tjera Lamallari.

Ministri i Drejtësisë thekson se kjo nismë vjen në kuadër të përmirësimit të legjislacionit, si dhe përshtatjes dhe përmbushjes së kërkesave të BE-së në kuadër të procesit të integrimit.