
Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, vijoi takimin e radhës me demokratët dhe mbështetësit në zonën e Kombinatit, ku mbajti një fjalim të gjatë dhe kritik ndaj qeverisë dhe kryeministrit Edi Rama.
Berisha tha se demokratët janë të lodhur dhe të zhgënjyer pas 13 viteve në opozitë, por deklaroi se sipas tij, PD ndodhet sot pranë një fitoreje të pashmangshme.
“Në këtë takim me ju, dua të flasim hapur me njëri-tjetrin, me çdo demokrat, për të kuptuar se sot jemi në agun e vërtetë të një transformimi të madh. Jemi në agun e vërtetë të një fitoreje të pashmangshme të opozitës shqiptare,” tha Berisha.
Ai shtoi se e njeh mirë lodhjen e demokratëve pas një opozite të gjatë.
“Jam i vetëdijshëm se ju, me të drejtë, jeni të dëshpëruar, të lodhur, të mërzitur. Një opozitë e pamerituar 13-vjeçare është stërmunduese,” deklaroi ai.
Berisha akuzoi kryeministrin Rama se ka përdorur çdo mjet për të shtypur pluralizmin dhe opozitën.
Sipas tij, “armiku që kemi përballë nuk respekton asnjë rregull,” duke shtuar se PD është pranë përmbushjes së “misionit historik të shpëtimit të Shqipërisë dhe shqiptarëve nga narkodiktatura, një regjim që ka dëmtuar qenien shqiptare më shumë se çdo tjetër në historinë e vendit.”
Kreu i PD-së e akuzoi Ramën se sillet ndaj opozitës me të njëjtën armiqësi dhe agresivitet si regjimet e së kaluarës.
“Natyrisht, nuk është më koha e diktaturave totalitare, por sot ai përdor çdo mjet për të shtypur pluralizmin, për të shtypur opozitën,” u shpreh Berisha.
Ai shtoi se kryeministri “nuk ngurron të arrestojë dhe persekutojë drejtuesit e opozitës,” duke e akuzuar se ka shkatërruar “institucionin më themelor të demokracisë — votën e lirë.”
Në fjalën e tij, Berisha deklaroi gjithashtu se lidhjet me krimin e organizuar kanë forcuar pozitat e qeverisjes aktuale:
“Me lidhjet e tij të krimit, ai ka ngritur në piedestal kartelet e drogës, vrasësit serialë, dhe ka vendosur sistemin më të pamëshirshëm të plaçkitjes që shqiptarët kanë njohur në tërë historinë,” përfundoi ai.