Vendosni fjalën kyçe....

Nvidia: Mjetet automatik mund të vijnë në Europë këtë vit, teknologjitë më të avancuara pas 2027



Drejtimi automatik i mjeteve mund të nisë të aplikohet në Europë që këtë vit, ndërsa teknologjitë më të avancuara të drejtimit pa ndërhyrje të vazhdueshme nga shoferi pritet të mbërrijnë në kontinent rreth vitit 2027. Kështu është shprehur Ali Kani, zëvendëspresident i ekipit automobilistik të Nvidia-s, në një intervistë për Euronews Next.

Gjigandi i çipave dhe inteligjencës artificiale ka bërë të ditur se nuk synon të prodhojë makina, por të zhvillojë softuerin që shërben si “shtresa inteligjente” për drejtimin automatik, të cilin kompanitë e robotaksive dhe prodhuesit e automjeteve mund ta blejnë dhe ta integrojnë në mjetet e tyre.

Sipas Kanit, inteligjenca artificiale po përshpejton zhvillimin e drejtimit automatik dhe po ul ndjeshëm kostot, megjithatë Europa përballet me sfida të veçanta për shkak të rregulloreve të ndryshme nga një shtet në tjetrin dhe nevojës për përshtatje infrastrukturore.

“Duhet të ecim aq shpejt sa na lejojnë rregullat, dhe ajo që po shohim është se ato po hapen gradualisht,” tha Kani. Ai shtoi se drejtimi Level 2+, ku shoferi mbetet përgjegjës, por automjeti mund të drejtojë, frenojë dhe përshpejtojë vetë, mund të miratohet në Europë që në fund të këtij viti.

Ndërkohë, Level 4, ku automjeti funksionon plotësisht automatikisht në kushte të caktuara, pa nevojën e ndërhyrjes së shoferit, mund të realizohet rreth vitit 2027.

Nvidia thekson se siguria mbetet prioritet kryesor. Sistemet e saj përdorin disa sensorë paralelë dhe dy sisteme funksionimi: një model inteligjence artificiale dhe një sistem sigurie që mbikëqyr çdo veprim, për të shmangur gabimet dhe aksidentet.

Megjithatë, sfidat mbeten, sidomos në rrugët rurale europiane, ku infrastruktura e ngushtë mund të vështirësojë funksionimin e mjeteve me drejtim automatik. Pavarësisht kësaj, Kani shprehet optimist, duke theksuar se kjo teknologji mund të rrisë sigurinë rrugore, të reduktojë gabimet njerëzore dhe të ndryshojë mënyrën se si projektohen qytetet.