
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka pritur sot në takim Komandantin e Komandës së Forcave të Përbashkëta të NATO-s në Napoli, Admiralin George M. Wikoff, me rastin e marrjes së detyrës së tij të re në krye të kësaj komande strategjike të Aleancës Veriatlantike.
Presidentja Osmani e uroi admiralin Wikoff për detyrën e re, duke shprehur besimin në lidershipin e tij dhe në rolin kyç që Komanda e NATO-s në Napoli ka për sigurinë euroatlantike, stabilitetin rajonal dhe paqen ndërkombëtare, njofton zyra për informim e Presidencës, shkruan RTK .
Gjatë takimit, Osmani ritheksoi mirënjohjen e Kosovës ndaj NATO-s dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës për rolin vendimtar në garantimin e paqes dhe sigurisë në Kosovë që nga viti 1999, duke vlerësuar veçanërisht misionin e KFOR-it si faktor thelbësor sigurie për të gjithë qytetarët.
Presidentja konfirmoi përkushtimin për vazhdimin e bashkëpunimit të ngushtë me KFOR-in dhe theksoi se Kosova mbetet partner i besueshëm dhe kontribuues për stabilitetin rajonal.
Në këtë kontekst, Osmani ngriti shqetësimin për rreziqet që vijnë nga veprimet destabilizuese të Serbisë, duke përmendur mungesën e llogaridhënies për sulmin ndaj ushtarëve të KFOR-it, sulmin terrorist në Banjskë si dhe sulmin kinetik në kanalin Ibër-Lepenc.