Vendosni fjalën kyçe....

Rezervat e gazit në Gjermani bien në minimum historik


Rezervat gjermane të gazit kanë rënë në nivelet më të ulëta historike për këtë periudhë të vitit, si pasojë e shterimit të shpejtë gjatë një vale të fortë të ftohti. Lajmi u raportua gjatë fundjavës nga ZDF, duke cituar ekspertë të industrisë, të cilët paralajmërojnë se, nëse ritmi aktual i tërheqjeve vijon, rezervat mund të shterojnë përpara përfundimit të sezonit të ngrohjes.

Sipas të dhënave, nivelet e depozitimit në objektet nëntokësore të Gjermanisë kanë zbritur rreth 50%, krahasuar me rreth 77% që ishin në të njëjtën periudhë një vit më parë. Statistikat e Gas Infrastructure Europe (GIE) tregojnë se vetëm gjatë katër javëve të fundit rezervat janë reduktuar me rreth 13%.

Ekspertët paralajmërojnë se, nëse ky trend vazhdon, depot mund të jenë vetëm rreth 5% të mbushura deri në muajin mars. Stefan Dohler, përfaqësues i furnizuesit energjetik EWE me seli në Oldenburg, tha se situata aktuale është po aq problematike sa në fillim të vitit 2022, kur rezervat e gazit në Gjermani ndodheshin në nivele kritike.

“Pa dashur të krijoj panik, duhet theksuar se niveli aktual i mbushjes është alarmant dhe i krahasueshëm me një nga momentet më të vështira të historisë energjetike të vendit,” u shpreh Dohler.

Sipas ekspertëve, shkaku kryesor i shterimit të përshpejtuar është moti më i ftohtë se zakonisht në fund të dhjetorit, i cili rriti ndjeshëm kërkesën për ngrohje. Sebastian Heinermann, drejtor menaxhues i Initiative Energispeicher, deklaroi se me një nivel mbushjeje nën 52%, depot e gazit ndodhen në një minimum historik, ndërsa Timm Kehler nga Shoqata e Industrisë së Gazit dhe Hidrogjenit konfirmoi se nivelet aktuale janë dukshëm nën mesataren afatgjatë.

Ndërkohë, varësia gjithnjë e më e madhe e Gjermanisë nga importet e gazit të lëngshëm (LNG) përmes terminaleve detare po shihet si një zgjidhje e kufizuar. Sipas ekspertëve, këto importe mund të mbulojnë vetëm rreth 16% të kërkesës gjatë periudhës nëntor–mars. Në këtë kuadër, Dohler bëri thirrje për masa më të forta qeveritare, përfshirë krijimin e një rezerve kombëtare strategjike të gazit.

Edhe Gazprom ka paralajmëruar se këtë sezon tërheqjet nga depot e gazit po ndodhin me ritme më të shpejta se zakonisht në të gjithë Bashkimin Evropian. Javën e kaluar, gjiganti rus i energjisë vuri në dukje se BE-ja mund të përballet me mungesa serioze, pasi nivelet e depozitimit ranë nën 60%, shkruan Rt.

Pas vitit 2022, Bashkimi Evropian ka ulur ndjeshëm importet ruse të energjisë, të cilat më parë përbënin rreth 40% të konsumit total. Gjermania ishte ndër vendet më të varura nga gazi rus, me rreth 55% të furnizimit të saj të ardhur nga Rusia. Moska i ka kritikuar sanksionet energjetike të BE-së, duke argumentuar se ato po dëmtojnë sigurinë energjetike dhe konkurrueshmërinë industriale të bllokut për arsye politike.