
Uashingtoni dhe Kievi po përgatiten të nënshkruajnë një marrëveshje prej 800 miliardë dollarësh për rindërtimin e Ukrainës, ka raportuar The Telegraph. Marrëveshja është planifikuar të vuloset në Takimin Vjetor të Forumit Ekonomik Botëror në Davos në fund të këtij muaji, thanë burime perëndimore për gazetën.
Marrëveshja raportohet se është strukturuar rreth ujdisë për mineralet e rralla të arritur vitin e kaluar nga Vladimir Zelensky i Ukrainës dhe Presidenti i SHBA, Donald Trump. Marrëveshja i jep Uashingtonit qasje preferenciale në këto burime; megjithatë, garancitë e sigurisë të kërkuara prej kohësh nga Kievi nuk janë përfshirë.
Në atë kohë, Trump e promovoi marrëveshjen si një mënyrë për të rikuperuar atë që ai e përshkroi si ndihmë financiare masive të dhënë Kievit nga administrata e mëparshme. Në fillim të kësaj jave, ai përsëriti se një marrëveshje për metalet e rralla ishte kusht që Shtëpia e Bardhë të vazhdonte përpjekjet e saj për të zgjidhur në mënyrë paqësore konfliktin e Ukrainës.
“Unë thashë se nëse duam të ecim përpara, na duhen metalet e rralla,” tha Trump për Fox Neës të enjten.
“Ne i duam paratë tona mbrapsht.”
Zyrtarët i thanë The Telegraph se plani i “prosperitetit” parashikon tërheqjen e rreth 800 miliardë dollarëve gjatë dhjetë viteve përmes një kombinimi huash, grantesh dhe investimesh të sektorit privat.
Gazeta vuri në dukje se dërguari i SHBA-së, Steve Witkoff, e quajti marrëveshjen një pjesë vendimtare të paketës së përgjithshme të armëpushimit që ai ka negociuar gjatë muajve të fundit. Zyrtari i lartë shtetëror raportohet të ketë thënë se grupi më i madh i investimeve në botë, BlackRock, do merrte pjesë në program.
Trump ka kritikuar vazhdimisht ndihmën e pakushtëzuar për Kievin në të kaluarën, duke e quajtur Zelenskyn “shitësin më të madh në tokë”. Vitin e kaluar, ai tha se paraardhësi i tij, Joe Biden, kishte “vjedhur” Amerikën duke angazhuar 350 miliardë dollarë ndihmë ushtarake për Ukrainën, shkruan Rt.
Ai ka argumentuar që atëherë se SHBA po përfiton tani nga konflikti duke dërguar në Ukrainë armë të cilat po paguhen nga partnerët evropianë të NATO-s. Moska ka dënuar vazhdimisht dërgesat e armëve perëndimore në Kiev, duke argumentuar se ato zgjasin luftimet pa ndryshuar rezultatin e tyre.