
Mijëra fermerë irlandezë, shumë prej të cilëve udhëtuan nëpër vend me traktorë, protestuan të shtunën kundër marrëveshjes tregtare të Bashkimit Evropian me bllokun Mercosur, pasi shumica e shteteve të BE-së dhanë miratimin paraprak për marrëveshjen e tij më të madhe të tregtisë së lirë të realizuar ndonjëherë.
Kundërshtarët e udhëhequr nga Franca, prodhuesi më i madh bujqësor i BE-së, dështuan të premten të bindnin mjaftueshëm shtete anëtare se marrëveshja me kombet e Amerikës së Jugut do përmbyste tregun me prodhime ushqimore të lira dhe do dëmtonte fermerët vendas.
Nën presionin e partive opozitare, grupeve të fermerëve dhe anëtarëve të koalicionit të saj, qeveria irlandeze pretendoi se marrëveshjes i mungojnë masat mbrojtëse lidhur me standardet më të dobëta të sigurisë ushqimore në Amerikën e Jugut.
“Është një turp i vërtetë ndaj fermerëve dhe njerëzve që e kanë sjellë Evropën këtu ku është sot,” tha Joe Keogh, një fermer nga fshati qendror i Multyfarnham, gjatë protestës në qytetin fqinj të Athlone.
“Kjo do çojë në mbylljen e të gjithë zonës rurale.”

Protestuesit mbanin pankarta ku shkruhej: “Mos i sakrifikoni fermat familjare për makinat gjermane”, “Lopët tona i ndjekin rregullat, pse jo të tyret?” dhe “Tradhti”.
Demonstrata, e përmasave të mëdha për standardet irlandeze, pasoi protesta të ngjashme të mbajtura të premten në Poloni, Francë dhe Belgjikë, shkruan Reuters.
Edhe pse Irlanda është një komb i vogël eksportues që synon të diversifikohet për të mos u mbështetur vetëm te tregu i SHBA-së, ajo ka industri të mëdha të mishit të gjedhit dhe bulmetit, të cilat janë punëdhënës kryesorë.
Kundërshtarët e marrëveshjes kanë siguruar disa lëshime dhe kompensime për fermerët e BE-së. Parlamenti Evropian duhet ta miratojë marrëveshjen përpara se ajo të hyjë në fuqi dhe, ashtu si Franca, Irlanda është zotuar të luftojë në atë që mund të jetë një votim shumë i ngushtë.
