Vendosni fjalën kyçe....

Tabaku: Shqipëria po përmbytet nga keqqeverisja


Deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku, ka reaguar për situatën e rëndë të përmbytjeve që kanë përfshirë Durrësin, Vlorën, Lezhën dhe disa qytete të tjera të vendit, duke theksuar se ajo që po ndodh nuk është pasojë e kushteve atmosferike, por rezultat i drejtpërdrejtë i dështimit të qeverisë në parandalim dhe menaxhim.

Në një video të publikuar në rrjetet sociale, Tabaku nënvizon se Shqipëria po përballet çdo vit me të njëjtin skenar: digjet në verë dhe përmbytet në dimër, jo për shkak të natyrës, por për shkak të mungesës së dorës së shtetit dhe investimeve parandaluese.

Sipas saj, emergjencat civile, infrastruktura mbështetëse, sistemet e ujitjes dhe kullimit, si dhe masat parandaluese janë lënë pas dore prej vitesh.

 “Këto nuk janë fenomene që duhen menaxhuar rast pas rasti, por duhen parandaluar me politika serioze dhe investime të qëndrueshme,” thekson Tabaku.

Deputetja kritikon ashpër edhe prioritetet buxhetore të qeverisë, duke vënë në dukje se fondet për ujitjen dhe kullimin janë më pak se 1% e Prodhimit të Brendshëm Bruto, ndërkohë që buxheti për kontrata koncesionare, të cilat ajo i cilëson korruptive, arrin nivele shumëfish më të larta.

Sipas saj, kjo nuk është rastësi, por një zgjedhje politike që lë në harresë nevojat reale të qytetarëve.

Tabaku ndalet edhe te Ligji për Emergjencat Civile, i miratuar tre vite më parë, por që ende nuk ka aktet nënligjore të nevojshme për zbatim të plotë.

“Në morinë e vendimeve të Këshillit të Ministrave, nuk është gjetur ende koha për të zbatuar një ligj jetik për sigurinë e qytetarëve,” thekson ajo.

Në përfundim, deputetja e PD bën thirrje për ndërtimin e një sistemi parandalues funksional, hartimin e një strategjie kombëtare për përmbytjet dhe angazhimin e një buxheti të mjaftueshëm për të mbrojtur jetën, pronën dhe bizneset e qytetarëve.

“Sot, familjet dhe shtëpitë e tyre janë në mëshirë të fatit si pasojë e këtij menaxhimi,” përfundon Tabaku.