Vendosni fjalën kyçe....

Borë e akull në rrugë, rrëshqitje dherash, mijëra hektarë tokë, banesa e biznese nën ujë


Reshjet e dëborës kanë përfshirë zonat malore të vendit mbi 300 metra mbi nivelin e detit, ndërsa temperaturat gjatë natës kanë pësuar rënie të ndjeshme, duke zbritur deri në -18°C në Valbonë, -13°C në Kukës-Shishtavec dhe -8°C në Theth.

Reshjet e borës dhe ngricat kanë sjellë problematika të shumta në disa rrugë.

Rruga Qukës–Qafë Plloçë vijon të jetë e pakalueshme për shkak të rënies së gurëve dhe dherave, ndërsa qarkullimi drejt juglindjes duhet të realizohet nga Qafë-Thana.

Disa rrugë fshatrash në Maliq janë të bllokuara nga rrëshqitjet e dherave.

Në qarkun e Vlorës, disa fshatra pranë lumit Vjosë ndodhen nën ndikimin e përmbytjeve, ndërkohë që maja e Llogarasë është mbuluar nga dëbora, por aksi mbetet i hapur për qarkullim pavarësisht vështirësive. Në fshatin Bashaj, një rrëshqitje masive dheu ka dëmtuar rrugën lidhëse, duke lënë mbi 100 banorë të izoluar.

Probleme serioze janë evidentuar edhe në aksin Gjirokastër-Tepelenë, ku lumi Drino rrezikon të dalë në rrugë, ndërsa te “Shkalla e Zezë” qarkullimi vijon vetëm me një korsi për shkak të rënies së inerteve. Rrëshqitja e dherave shtufore ka bllokuar përkohësisht edhe rrugën Uji i Ftohtë-Tepelenë, duke zënë rreth 70% të gjerësisë së rrugës në kryqëzimin e Urës së Leklit.

Reshjet e dendura të shiut kanë dëmtuar karrexhatën te Ura e Petranit, duke bllokuar rrugën Përmet-Dogana e Tre Urave, ndërsa për shkak të borës është bllokuar edhe rruga Pogon-Dropull.

Rruga e Arbrit është e prekur nga ngricat, por qarkullimi vijon me vështirësi, ndërsa rruga Klos-Burrel u bllokua për rreth një orë nga rënia e një masivi dheu në fshatin Bërshi.

Rruga e Kombit është e hapur në të gjithë segmentin e saj dhe mjetet borëpastruese vijojnë kriposjen. Në malësinë e Krujës, dëbora deri në 30 centimetra dhe ngricat kanë bllokuar rrugën Krujë-Qafë Shtamë, duke izoluar disa fshatra

Në qarkun e Beratit reshjet e dëborës kanë vazhduar në lartësitë mbi 600 metra dhe në Bashkinë e Skraparit disa rrugë mbeten të bllokuara. Autoritetet rikujtojnë se përdorimi i gomave dimërore është i detyrueshëm për automjetet që qarkullojnë në zonat malore apo në rrugë ku ka dëborë dhe ngrica.