
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka përfunduar numërimin e të gjitha votave që janë sjellë në Kosovë për zgjedhjet parlamentare të 28 dhjetorit. Sipas të dhënave zyrtare, janë numëruar 2.836 nga 2.836 vendvotime, apo 100 për qind e tyre.
Rezultatet e publikuara tregojnë se Lëvizja Vetëvendosje ka dalë e para me 51.01 për qind të votave, duke siguruar 57 ulëse në Kuvend.
Partia Demokratike e Kosovës renditet e dyta me 20.24 për qind dhe 22 ulëse, ndërsa Lidhja Demokratike e Kosovës ka marrë 13.26 për qind të votave dhe 15 ulëse. Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës ka siguruar 5.50 për qind të votave dhe 6 ulëse, dhe Lista Serbe 4.50 për qind dhe 9 ulëse.
Sipas rezultateve për kandidatët, në Lëvizjen Vetëvendosje kandidati më i votuar është Albin Kurti me 401,241 vota, i ndjekur nga Glauk Konjufca me 316,057 vota dhe Albuleena Haxhiu me 172,706 vota.
Në Partinë Demokratike e Kosovës, tre kandidatët më të votuar janë Bedri Hamza me 161,570 vota, Arian Tahiri me 71,487 vota dhe Përparim Gruda me 65,881 vota.
Në Lidhjen Demokratike të Kosovës, më së shumti vota kanë marrë Lumir Abdixhiku me 88,230 vota, Hykmete Bajrami me 56,966 vota dhe Ukë Rugova me 49,414 vota, shkruan RTK.
Në Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës, tre kandidatët më të votuar janë Ramush Haradinaj me 43,855 vota, Daut Haradinaj me 26,497 vota dhe Besnik Tahiri me 26,323 vota
Megjithatë, procesi zgjedhor ende nuk është përmbyllur plotësisht, pasi kanë mbetur edhe 3,185 pako me fletëvotime nga votimi me postë, të cilat ende nuk janë sjellë në Kosovë dhe pritet të numërohen në fazën e radhës.
Sipas njoftimit të KQZ-së, në fazën e radhës të numërimit do të përfshihen fletëvotimet e tërhequra nga kutitë postare jashtë Kosovës më 2 dhe 5 janar 2026, të cilat deri më tani janë sjellë në Kosovë.
“Më 2 janar, nga gjithsej 9 kuti postare në qytetet Pragë, Londër, Paris, Zagreb, Stokholm, Stamboll, New York, Kanbera dhe Kopenhagë, janë tërhequr 8,180 pako me fletëvotime. Ndërkaq, më 5 janar, nga 13 kuti postare në Tiranë, Berlin, Vjenë, Bernë, Bruksel, Hagë, Podgoricë, Oslo, Shkup, Otavë, Ljublanë, Romë dhe Prishtinë, janë tërhequr 11,867 pako të tjera”, thuhet në njoftim.