
Zëvendëskryeministrja e pandehur Belinda Balluku ka zbritur sot në terren për të takuar banorët e prekur nga përmbytjet, në daljen e saj të parë pas një periudhe të gjatë mungese në publik.
Kreu i Partisë Mundësia, Agron Shehaj, reagoi ashpër duke e cilësuar këtë veprim si show, propagandë dhe hipokrizi, të lidhur drejtpërdrejt me akuzat penale që rëndojnë mbi Ballukun.
“Në një vend normal, Balluku do të ishte duke u gjykuar para drejtësisë si një qytetare e zakonshme, pa mandat dhe pa pushtet. Belinda jo vetëm që nuk lëshon karrigen, por shkon të ngushëllojë banorët e përmbytur, në një kohë kur me milionat e eurove që ajo ka vjedhur, hidrovoret do të funksiononin, rrugët nuk do të rrëshqisnin si rërë dhe kanalizimet do të ishin në rregull.
Nuk është ‘dora e Zotit’, është e korrupsionit,” deklaroi Shehaj.
Reagimi i tij vjen në një moment kur SPAK, prej disa javësh, ka kërkuar heqjen e imunitetit dhe arrestimin e Ballukut, por procesi po zvarritet, duke i dhënë kohë zëvendëskryeministres të vijojë detyrën ndërkohë që hetimet vazhdojnë.