Vendosni fjalën kyçe....

45 të vrarë nga protestat në Iran, qeveria ndërpret internetin (Video)


Të paktën 45 protestues, përfshirë tetë të mitur, janë vrarë në Iran gjatë gati dy javëve trazira mbarëkombëtare të nxitura nga problemet ekonomike, bënë të ditur të enjten aktivistët e të drejtave të njeriut.

Grupi me seli në Norvegji, Iran Human Rights, raportoi se shtypja qeveritare po “zgjerohet dhe po bëhet më e dhunshme dita-ditës”, me “qindra” të plagosur që nga fillimi i protestave.

Sipas grupit, më shumë se 2,000 persona janë arrestuar në mbarë Iranin që kur demonstratat shpërthyen në fund të muajit të kaluar në Pazarin e Madh të Teheranit dhe u përhapën me shpejtësi në gjithë vendin. E mërkura shënoi ditën më vdekjeprurëse të trazirave deri më tani, me 13 protestues të vrarë sipas raportimeve. Media shtetërore iraniane dhe autoritetet kanë konfirmuar të paktën 21 vdekje, duke përfshirë anëtarë të forcave të sigurisë.

Ndërprerja e komunikimit dhe shtrirja gjeografike

Protestat tashmë kanë arritur në qytete në të gjitha provincat e Iranit, megjithëse ende nuk e kanë paralizuar jetën e përditshme në Teheran në masën që u pa në valët e kaluara të trazirave. Megjithatë, qeveria ka ndërmarrë hapa agresivë për të shtypur demonstratat.

Të enjten, grupi i monitorimit të internetit NetBlocks raportoi një ndërprerje të internetit në shkallë kombëtare, pjesë e asaj që aktivistët e quajnë një përpjekje e gjerë e regjimit për të bllokuar komunikimin dhe për të penguar koordinimin mes demonstruesve.

Kjo është vala e parë e madhe e protestave që nga përfundimi i luftës 12-ditore të Iranit me Izraelin dhe më e rëndësishmja që nga protestat e hixhabit të vitit 2022. Ashtu si lëvizjet e mëparshme, edhe protestat aktuale nuk kanë një udhëheqje të qartë.

Megjithatë, të enjten, Princi i Kurorës në mërgim, Reza Pahlavi – djali i shahut të përmbysur në Revolucionin Islamik të vitit 1979 – u bëri thirrje iranianëve t’i bashkohen protestave duke thirrur slogane nga dritaret dhe çatitë e tyre. Media opozitare Iran International publikoi video që duket se tregojnë turma të mëdha në rrugë dhe, në disa zona, thirrje në mbështetje të Pahlavit, shkruan Ynet.