Vendosni fjalën kyçe....

Reshjet shkaktojnë dëme në disa qytete të Kosovës


Disa komuna në Kosovë janë përballur me vërshime, të cilat kanë shkaktuar dëme materiale në pronat private të qytetarëve dhe në infrastrukturën rrugore. Autoritetet u kanë bërë thirrje qytetarëve për kujdes, teksa janë evakuuar disa banorë.

Agjencia e Menaxhimit Emergjent, në raportin që përfshin orën 12:00 deri në orën 15:00 tha se situata me vërshime “paraqitet e menaxhueshme, me raste të lokalizuara në disa komuna”.

Sipas AME-së, komunat më të prekura janë Fushë-Kosova, Malisheva, Rahoveci, Klina, Mitrovica, Vushtrria, Skënderaji dhe Gjakova, ku raportoi për vërshime në oborre, bodrume dhe rrugë.

Sipas informatave nga Njësitë Profesionale të Zjarrfikjes dhe Shpëtimit (NJPZSH), dhe Drejtorive për

“Në Gjakovë është kërkuar ndihmë për evakuimin e mbi 20 familjeve, në koordinim me FSK-në.Në shumicën e komunave të tjera, gjendja është relativisht e qetë dhe stabile, në monitorim të vazhdueshëm”, u tha në njoftim.

Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës (IHMK) njoftoi më herët gjatë 6 janarit se reshjet e ditëve të fundit kanë shkaktuar vërshime në disa qytete, kryesisht në pjesën perëndimore të vendit.

IHMK-ja theksoi se reshjet e pandërprera të shiut gjatë disa ditëve në vende si Gjakova, Juniku, Deçani, Malisheva, Rahoveci dhe Klina kanë bërë që lumenjtë dhe përrenjtë të dalin nga shtretërit e tyre.

“Këto reshje, me intervale dhe intensitet të ndryshëm, pritet të vazhdojnë edhe gjatë ditëve në vijim, duke mundësuar paraqitjen e vërshimeve lokale, probleme në komunikacion, në sistemet e kanalizimit, si dhe vështirësi në trafik”, thuhet në njoftimin e IHMK-së.

Sipas këtij instituti, lumenjtë kryesore të vendit – si Ibri, Sitnica, Lepenci, Morava e Binçës – kanë ngritje “të lehta” të nivelit të ujit.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, falënderoi institucionet për reagimin ndaj vërshimeve për mbrojtjen e “jetës dhe pronës”.

“Situata kërkon kujdes maksimal. U bëj thirrje qytetarëve të tregojnë vigjilencë dhe të respektojnë me përpikëri udhëzimet e institucioneve kompetente. Bashkëpunimi i ngushtë dhe reagimi profesional mbeten vendimtare për përballimin me sukses të kësaj situate”, shkroi ajo në Facebook.

Osmani tha se Forca e Sigurisë së Kosovës është në gatishmëri që të ofrojë mbështetje “nëse paraqitet nevoja”.

Përmbytjet në disa rrugë bënë që Kompania për Distribuimim e Energjisë Elektrike (KEDS) të ndërprejë rrymën në Drenas, Malishevë dhe Rahovec.

Në Drenas, KEDS tha se “uji ka depërtuar në nënstacion, duke paraqitur rrezik serioz për funksionimin e sigurt të rrjetit elektrik”.

Më vonë, autoritetet njoftuan se furnizimi me energji elektrike u rikthye pas krijimit të kushteve të sigurta për ndërhyrje të KEDS-it.

Kosova është përballur me përmbytje vitet e fundit, të cilat kanë shkaktuar kryesisht dëme materiale.

Vlerësohet se dëmtimi i shtretërve të lumenjve, si pasojë e nxjerrjeve të paligjshme të zhavorrit, kontribuon shumë në përmbytjen e zonave./REL