
Shtetet e Bashkuara kanë arritur një marrëveshje me Dominikën për të nisur dërgimin e azilkërkuesve të dëbuar nga SHBA drejt këtij shteti të vogël të Karaibeve, në kuadër të politikave kundër emigracionit të paligjshëm të administratës së presidentit Donald Trump, përcjell Euronews.
Marrëveshja u konfirmua të hënën, pas presionit të ushtruar nga Uashingtoni, i cili përfshinte edhe vendosjen e kufizimeve të pjesshme të vizave dhe hyrjes në SHBA për shtetasit e Dominikës. Kryeministri i vendit, Roosevelt Skerrit, e cilësoi këtë marrëveshje si “një nga fushat kryesore të bashkëpunimit” me SHBA-në.
Skerrit nuk dha detaje mbi numrin e azilkërkuesve që pritet të dërgohen apo afatet e zbatimit të marrëveshjes, por theksoi se gjatë diskutimeve me Departamentin Amerikan të Shtetit është rënë dakord që të mos pranohen persona me precedentë penalë apo të dhunshëm, në mënyrë që të mos cenohet siguria kombëtare e Dominikës.
Marrëveshja ka ngjallur shqetësim në vend. Kreu i opozitës kryesore, Thomson Fontaine, deklaroi se qeveria nuk ka sqaruar publikun mbi detaje thelbësore, si numri i personave që do të strehohen, kushtet e akomodimit dhe burimet financiare për përballimin e tyre, duke pasur parasysh se Dominika ka rreth 72 mijë banorë.
Administrata Trump ka nënshkruar marrëveshje të ngjashme edhe me vende të tjera, si Belize dhe Paraguai, si pjesë e përpjekjeve për të shpërndarë barrën e azilkërkuesve. Po ashtu, Antigua dhe Barbuda njoftuan se kanë firmosur një memorandum jo detyrues me SHBA-në, duke theksuar se nuk do të pranojnë persona me të kaluar kriminale.
Muajin e kaluar, SHBA-ja zgjeroi kufizimet e udhëtimit për 20 vende të tjera, mes tyre Dominika dhe Antigua dhe Barbuda, të vetmet shtete karaibiane në këtë listë, masa që hynë në fuqi më 1 janar.