Vendosni fjalën kyçe....

Ia shiti aksionet e vreshtës në Francë oligarkut rus pa e pyetur, Brad Pitt padit Angelina Jolie-n në gjykatë


Brad Pitt ka paditur ish-bashkëshorten e tij Angelina Jolie për shkak se ajo ka shitur pjesën e saj të aksioneve në vreshtin francez që ata blenë së bashku, pa e njoftuar më parë atë.

Ish-çifti blenë sëbashku një punishte vere në Chateau Miraval në vitin 2008 dhe u martuan atje gjashtë vjet më vonë.

Pitt thotë se ai dhe ish-gruaja e tij ranë dakord të mos i shesin aksionet e tyre pa lejen e tjetrit. Por Jolie ia shiti pjesën e saj një prodhuesi pijesh alkoolike në pronësi të një oligarku rus, sipas padisë.

Siç shkruan BBC, dokumentet të paraqitura të enjten në gjykatë, thanë se Pitt ka financuar vreshtin i cili ishte “një nga prodhuesit më të vlerësuar në botë të verës rozë”. Por ai pretendon se Jolie nuk e ka kmbështetur më biznesin.

Pitt thotë se Jolie i shiti aksionet e saj pa dijeninë e tij një kompanieje të prodhimit të pijeve alkoolike me bazë në Luksemburg, të kontrolluar nga biznesmeni rus Yuri Shefler.

“Ajo shiti aksionet e saj me dijeninë dhe qëllimin që Shefler dhe bashkëpunëtorët e tij do të kërkonin të kontrollonin biznesin të cilit Pitt i ishte përkushtuar dhe të minonin investimin e Pitt në Miraval.”– pretendohet në padi, citon BBC.

Avokatët e tij thanë se kjo masë kishte për qëllim t’i shkaktonte “dëm” aktorit, i cili “kishte derdhur para dhe kapital në biznesin e verës”. Për këtë arsye Pitt kërkon nga gjykata që të vendosë anulimin e shitjes dhe të vlerësojë dëmin ekonomik që ka pësuar nga mospjesëmarrja e ish-bashkëshortes në shpenzimet e kantinës.