Vendosni fjalën kyçe....

Bashkitë, në çengelin e “betonit”: 750 milionë euro ndërtime në Tiranë në vitin 2021


Varësia e buxheteve bashkiake po rritet nga viti në vit nga të ardhurat që burojnë nga lejet e ndërtimit, duke rrezikuar qëndrueshmërinë afatgjatë të buxhetit vendor. Situacioni buxhetor i vitit 2021 tregon se në krahun e shpenzimeve shpenzimet operatove dhe ato të personelit po rriten në mënyrë të pakontrolluar, teksa investimet po shfaqin problematika.

Bashkitë në të gjithë vendin bënë hapa para në drejtim të rritjes se të ardhurave gjatë vitit 2021, por buxhetet e tyre, sidomos Tirana, rritën varësinë nga prurjet prej Taksës së Ndikimit në Infrastrukturë që vilet mbi ndërtimit e reja, prurje që nuk është e garantuar në afat të gjatë.

Në krahun e shpenzimeve pushteti vendor shfaqi dobësi në investime dhe rriti shpenzimet e personelit të cilat arritën rekorde për shkak të fryrjes së stafeve edhe pse efektet e transferimit të funksioneve nga pushteti qendror me reformën territoriale thuajse kane përfunduar.

Një analizë Co Plan për ecurinë e situacionit buxhetor të pushtetit vendor në vitin 2021 gjeti se pavarësisht rritje së burimeve financiare, kënaqësia e qytetarëve për shërbimet bashkiake ka pësuar rënie.

Analiza tregoi se, përballja me dy fatkeqësi natyrore të njëpasnjëshme gjatë viteve 2019-2020 nga një anë nënvizoi rëndësinë e bashkive në jetën e komuniteteve që ato përfaqësojnë, në anën tjetër nxori në pah dobësitë strukturore të tyre: 61 bashkitë në Shqipëri janë shumë të ndryshme ndërmjet tyre, nuk kanë autonomi financiare apo janë të varura financiarisht nga transfertat ndërqeveritare, nuk kanë një mekanizëm financiar funksional për përballimin situatave të emergjencave dhe aftësitë ripërtëritëse pas tyre vlerësohen të ulëta.

Për pasojë, bashkitë vlerësohet të jenë të ekspozuara ndaj goditjeve të papritura të brendshme dhe të jashtme të cilat materializohen shumë shpejt në treguesit e të ardhurave dhe të shpenzimeve. Në mënyrë simetrike edhe reagimi i bashkive në kahun ripërtëritës duket të jetë i shpejtë, bazuar në ecurinë e treguesve kryesorë financiarë për vitin 2021.

Të gjitha burimet financiare të pushtetit lokal duke përfshirë transfertat buxhetore gjate vitit 2021 ishin rreth 100 miliardë lekë, nga të cilat 29 miliardë lekë të ardhura nga burimet e veta.

 

Rritet pesha e të ardhurave nga burimet vendore

Rëndësia e qeverisjes vendore vlerësohet të jetë rritur bazuar në ecurinë e treguesve të burimeve financiare të bashkive (totale, të disponueshme dhe nga burimet e veta vendore) ndaj PBB-së nominale në pesë vitet e fundit.

Treguesi i të ardhurave nga burime të veta vendore ndaj PBB-së nominale rezulton të jetë rritur me 0.2 pikë përqindjeje nga 1.5% në vitin 2020 në rreth 1.7% në fund të vitit 2021.

Rritja ndër vite e shënuar në këtë tregues vlerësohet të jetë ndikuar nga dy elementë kryesorë: rritja e nivelit të taksave vendore (veçanërisht taksa e ndikimit në infrastrukturë nga ndërtimet e reja (TNI) dhe taksa e ndërtesës), rritja e nivelit të tarifave vendore dhe përmirësimi në mbledhjen e tyre veçanërisht në zonat urbane (duke përdorur si agjentë tatimorë ndërmarrjet e UK-ve).

Ky përmirësim nuk është i shtrirë në të gjitha bashkitë në vend, përkundrazi udhëhiqet nga ecuria e të ardhurave të regjistruara në bashkinë Tiranë dhe konkretisht, nga të ardhurat nga taksa e ndikimit në infrastrukturë nga ndërtimet e reja. Treguesi i të ardhurave të disponueshme ndaj PBB-së nominale gjithashtu rezulton të jetë përmirësuar nga viti në vit duke shënuar një nivel prej rreth 3.4% në fund të vitit 2021 nga rreth 3.2% që vlerësohej në vitin 2020.

 

Të ardhurat vendore, rritje me 27%, Mirdita dhe Kuçova më mirë, Puka dhe Lushnja më keq

Të ardhurat nga burimet e veta vendore (të ardhurat nga taksat, tarifat dhe të ardhura të tjera) janë një element thelbësor për një qeverisje të mirë dhe të pavarur të bashkive. Mesatarisht, kjo kategori të ardhurash përfaqësoi rreth 27% të burimeve financiare të bashkive gjatë periudhës 2010 – 2020.

Në fund të vitit 2021, të ardhurat nga burimet e veta vendore përfaqësuan rreth 29% të burimeve totale, vlerë kjo rreth 2 pikë përqindje mbi mesataren afatgjatë.

Në terma nominalë 61 bashkitë në vend mblodhën rreth 29 miliardë lekë në vitin 2021, në rritje me rreth 22% krahasuar me nivelin e mbledhur në vitin 2020.

Përjashtuar Bashkinë e Tiranës (e cila mbledh rreth 57% të të ardhurave nga burimet e veta vendore 2021), kjo kategori të ardhurash shënoi rritje me rreth 24% në terma vjetorë. Zgjerimi i të ardhurave nga burimet e veta vendore rezulton të ketë ndodhur në rreth 82% të bashkive (apo 50/61 bashki) dhe të luhatet në një interval nga rreth +1% deri në +91%. Ndër to, në rreth 86% të bashkive (43/50 bashki) rritja e të ardhurave rezulton të jetë mbi 10% në terma vjetorë.

Në bashkitë Mirditë dhe Kuçovë u shënua rritja më e theksuar në të ardhurat nga burimet e veta vendore me rreth 91% në terma vjetorë ndjekur nga bashkia Mallakastër me rreth 89%.

Në bashkitë Lezhë, Kurbin dhe Himarë norma e rritjes së të ardhurve vendore ishte mbi 70% gjatë vitit 2021. Në bashkitë Finiq, Kamëz, Tepelenë, Tropojë, Këlcyrë dhe Has norma e rritjes së të ardhurave nga burimet e veta vendore luhatet në intervalin 50-65%. Në bashkinë Durrës, të ardhurat nga burimet e veta vendore shënuan rritje me rreth 48% në terma vjetorë.

Rritja vjetore e të ardhurave nga burimet e veta në bashkitë Korçë, Gramsh, Divjakë, Selenicë, Rrogozhinë, Bulqizë, Vlorë dhe Kavajë luhatet në intervalin 30 – 39%.

Në bashkitë Belsh, Tiranë, Kolonjë, Dibër, Devoll, Libohovë dhe Roskovec luhatet në intervalin 20 – 26%. Në bashkitë Cërrik, Maliq, Shkodër, Librazhd, Konispol, Berat, Dimal, Klos, Pogradec, Pustec, Përrenjas, Dropull, Mat, Malësi e Madhe dhe Gjirokastër luhatet në intervalin 10% – 20%dhe në bashkitë Vau i Dejës, Elbasan, Shijak, Sarandë, Krujë, Fier dhe Patos norma vjetore e rritjes së të ardhurave nga burimet e veta vendore është nën 10%.

Në të kundërt, të ardhurat nga burimet e veta vendore shënuan rënie në 11 nga 61 bashki në vend, duke shënuar tkurrjen më të lartë vjetore në bashkinë Pukë me -32% dhe më të ultë në bashkinë Lushnje me rreth -1%.

Sipas kategorive, kontributin kryesor në zgjerimin e të ardhurave nga burimet e veta vendore e dhanë të ardhurat nga taksat vendore (+13 pikë përqindje). Të ardhurat nga taksat vendore përfaqësuan rreth 62% të të ardhurave nga burimet vendore dhe shënuan rritje vjetore me 20%. Kontribut pozitiv (me rreth 9 pikë përqindje) dhanë dhe të ardhurat nga tarifat vendore të cilat përfaqësojnë rreth 37% të totalit të të ardhurave nga burimet vendore (dhe shënuan rritje me rreth 24%).

Të dyja këto kategori të ardhurash vlerësohet të jenë rikuperuar me ritme të përshpejtuara përgjatë vitit 2021 nga frenimi që shënuan në vitin e mëparshëm. Peshë dhe kontribut të ulët pozitiv në ecurinë e përgjithshme të të ardhurave nga burimet e veta vendore luajtën të ardhurat nga burime të tjera vendore.

Analiza e të ardhurave sipas bashkive për vitin 2021 tregon se rreth 72% e të ardhurave nga burimet e veta vendore mblidhet nga 6 bashki. Rreth 57% e të ardhurave nga burimet e veta vendore u mblodh në bashkinë Tiranë ndjekur më tej nga bashkitë Durrës (rreth 5%), Vlorë (rreth 3%), Kamëz (rreth 3%), Shkodër dhe Elbasan (rreth 2% përkatësisht).

E njëjta prirje vihet re edhe në peshën që zënë bashkitë në të ardhurat nga taksat dhe nga tarifat vendore. Rreth 64% e të ardhurave nga taksat vendore gjenerohet në bashkinë Tiranë, bashkia më e madhe në vend e cila gëzon numrin më të lartë të bizneseve dhe popullsisë, ndjekur nga bashkitë Durrës (rreth 4%) dhe Fier (rreth 3%). Rreth 48% e të ardhurave nga tarifat vendore gjenerohet në bashkinë Tiranë, ndjekur nga bashkitë Durrës (5%), Elbasan (4%), Korçë (3%) etj.

 

Pasuritë e paluajtshme dhe ndërtimi, kontribuuesit kryesor

Në strukturën e të ardhurave nga taksat vendore mbizotëron kontributi i të ardhurave nga dy taksa kryesore, të ardhurat nga taksa e ndikimit në infrastrukturë për ndërtimet e reja dhe të ardhurat nga taksa mbi pasuritë e paluajtshme (ndërtesa, tokë bujqësore dhe truall). Së bashku këtu dy lloje taksash përfaqësuan rreth 86% ndaj totalit të të ardhurave nga taksat vendore.

Në të kundërt, pesha dhe kontributi i tatimit të thjeshtuar mbi fitimin e biznesit të vogël dhe i taksave të tjera vijuan të jenë të ulëta.

Të ardhurat nga taksa mbi pasuritë e paluajtshme dhe transaksionet e kryera me to (veçanërisht taksa e ndërtesës) kanë ndjekur përgjithësisht prirje rritëse ndër vite. Megjithatë, problematikat e lidhura me të drejtat e pronësisë dhe mungesës së regjistrave kadastralë, ndër të tjera, pengojnë shfrytëzimin e plotë të potencialit të kësaj takse.

Në vitin 2021, të ardhurat nga taksa mbi pasuritë e paluajtshme dhe transaksionet e kryera me to ishin rreth 6.1 miliardë lekë, në rritje me rreth 20% në terma vjetorë, përfaqësuan rreth 34% të të ardhurave nga taksat vendore dhe rreth 21% ndaj të ardhurave nga burimet e veta vendore.

Ky zgjerim i vërejtur në të ardhurat nga taksat e pasurisë së paluajtshme mund të jetë rezultat i pagesave të transferuara në kohë që disa prej bashkive në vend aplikuan gjatë vitit 2020 (si pasojë e situatës së rënduar pas tërmetit të fundvitit 2019 dhe pandemisë së Covid-19).

 

750 milionë euro ndërtime në Tiranë në 2021, si po rritet varësia e buxhetit vendor nga ndërtimet reja, rreziqet

Të hyrat nga taksa e ndikimit në infrastrukturë nga ndërtimet e reja (TNI) historikisht kanë përfaqësuar një burim të rëndësishëm dhe qenësishëm në buxhetin vendor (më i lartë edhe se të ardhurat nga taksat e pronës).

Veçanërisht në vitin 2021, të ardhurat nga TNI përfaqësuan rreth 53% ndaj totalit të të ardhurave nga taksat vendore, rreth 32% ndaj totalit të të ardhurave nga burimet e veta vendore dhe u vlerësuan në rreth 0.5% të PBB-së nominale.

Zgjerimi i peshës së këtij zëri në buxhetet vendore vlerësohet të jenë ndikuar ndjeshëm nga zbatimi i Planeve të Përgjithshme Vendore (PPV) nëpërmjet lejeve të ndërtimit për ndërtesa të reja veçanërisht prej vitit 2018: në vitin 2018 u dhanë 1,194 leje, në vitin 2019 rreth 1,094 leje, në vitin 2020 rreth 961 leje dhe në vitin 2021 u dhanë rreth 1,396 leje.

Vetëm në tre vitet e fundit, dhënia e rreth 3,451 lejeve për ndërtim përkthehet në një sipërfaqe ndërtimi të shtuar prej rreth 6 milionë m2. Zbatimi i PPV-ve nëpërmjet lejeve të reja të ndërtimit, nga një anë, ka kontribuar pozitivisht në rritjen e të ardhurave nga TNI për bashkitë, nga ana tjetër, i vendos ato në një pozicion sfidues për ofrimin e infrastrukturave të nevojshme publike, të cilat gjithashtu kërkojnë financime si në zhvillim fillestar ashtu dhe në mirëmbajtje të vazhdueshme.

Të ardhurat nga taksa e ndikimit në infrastrukturë nga ndërtimet e reja shënuan një nivel prej rreth 9.5 miliardë lekë në vitin 2021, në rritje me rreth 19% në terma vjetorë, ose rreth 1.5 miliardë lekë më shumë krahasuar me vitin e mëparshëm. Përjashtuar të ardhurat e arkëtuara nga bashkia Tiranë, 60 bashkitë e tjera në vend mblodhën rreth 2.2 miliardë lekë nga TNI, në rritje me rreth 40% në terma vjetorë.

Teksa taksa e infrastrukturës për ndërtimet e reja në Tiranë është 8% e vlerës së shitjes, në kryeqytet ndërtimet arritën në një vlerë rekord prej 750 milionë euro (përllogaritje të Monitor).

Ndonëse me peshë të madhe në të ardhurat nga taksat vendore, të ardhurat nga TNI nuk realizohen njëtrajtësisht në të gjitha bashkitë. Rreth 77% e të ardhurave të gjeneruara në vitin 2021 nga kjo taksë u mblodhën në bashkinë Tiranë dhe diferenca në 60 bashkitë e tjera në vend. Gjatë kësaj periudhe, të ardhurat nga TNI të mbledhura nga bashkia Tiranë u rritën me rreth 14% krahasuar me një vit më parë.

Me diferencë të theksuar nga bashkia Tiranë, bashkitë Kamëz dhe Himarë mblodhën respektivisht rreth 4% të të ardhurave nga TNI dhe ndjekur nga bashkia Durrës (rreth 3%). Bazuar në informacionin për lejet e ndërtimit të dhëna periudhën janar – shtator 2021, në bashkinë Tiranë do të shtohen rreth 1.5 milionë metër katrorë sipërfaqe ndërtimore të reja apo rreth 63% e sipërfaqes totale ndërtimore të re në Shqipëri në të njëjtën periudhë.

Të ardhurat nga TNI kanë rritur në mënyrë progresive kontributin e tyre në buxhetet vendore matur nga raporti i të ardhurave nga TNI ndaj të ardhurave nga taksat vendore. Sa më i lartë ky raport aq më e lartë varësia (dhe rëndësia e të ardhurave nga TNI në buxhetin vendor) dhe ekspozimi i bashkisë ndaj luhatjeve në sektorin e ndërtimit.

Në periudhën 2010-2015, të ardhurat nga TNI përfaqësuan mesatarisht rreth 26% të të ardhurave totale nga taksat vendore dhe në periudhën 2016-2020 pesha e tyre u rrit në rreth 45% të të ardhurave nga taksat vendore. Në fund të vitit 2021, të ardhurat totale nga TNI për 61 bashkitë përfaqësuan rreth 53% të të ardhurave nga taksat vendore.

Për 8/61 bashki, të ardhurat nga TNI japin kontribut mbi mesataren në totalin e të ardhurave nga taksat vendore, përkatësisht në bashkitë Himarë (89%), Tropojë (78%), Kamëz (77%), Tepelenë (72%), Kurbin (64%), Tiranë (63%), Dibër (59%) dhe Malësi e Madhe (55%). Pesha e lartë e të ardhurave nga TNI-së në këto bashki i ekspozon buxhetet vendore drejtpërdrejt ndaj zhvillimeve në sektorin e ndërtimit.

Në të kundërt, të ardhurat nga TNI japin kontribut nën mesataren në totalin e të ardhurave nga taksat vendore në 53/61 bashki. Ky kontribut vlerësohet në më pak se 10% të të ardhurave nga taksat vendore në 8/61 bashkitë Kuçovë (0%), Patos (2%), Mallakastër (3%), Roskovec dhe Fier (5% respektivisht), Poliçan, Belsh dhe Kukës (9% respektivisht).

Në bashkitë që paraqesin një portofol relativisht të diversifikuar të ardhurave nga taksat vendore (apo kontribut të shpërndarë ndër taksat e ndryshme vendore), ekspozimi i buxheteve vendore nga një goditje e papritur në sektorin e ndërtimit vlerësohet të jetë relativisht më i ulët.

Performanca në të ardhurat prej kësaj takse sugjeron për vijimësi të presioneve zhvillimore matur nga numri i lejeve të ndërtimit, ndonëse ky presion është përqendruar në bashkinë Tiranë (rreth 15% e totalit të lejeve të dhëna në vitin 2021 dhe 20% e lejeve të dhëna në tre vitet e fundit).
Dinamikat dhe zhvillimet e përshpejtuara të evidentuara nga treguesi i të ardhurave nga TNI dhe treguesit për lejet e ndërtimit janë perceptuar edhe nga bizneset në sektorin e ndërtimit, pasqyruar në përmirësimin e shënuar në Treguesin e Besimit në Ndërtim (TBN).

TBN, ndonëse mbetet negativ, regjistroi përmirësim të ndjeshëm përgjatë vitit 2021. Megjithatë, ndonëse deri në vitin 2017 treguesi i TBN-së dhe i të ardhurave nga TNI-së paraqesin korrelacion të mirë ndërmjet tyre, në vitet në vijim ecuria e tyre është e ndryshme.

Kjo diferencë rezulton të përcaktohet nga ecuria e të ardhurave nga TNI në bashkinë Tiranë dhe përqendrimi i presioneve zhvillimore në këtë bashki pas vitit 2017. Në të kundërt, të ardhurat nga TNI për 60 bashkitë e tjera në vend dhe TBN paraqesin korrelacion pozitiv në kohë.

VINI RE: Ky artikull është pronë intelektuale e Monitor.al