Vendosni fjalën kyçe....

Aktivistët e klimës lënë pa energji dhjetëra mijëra familje e biznese në Berlin


Një grup i vetëpërshkruar si aktivistë të klimës ka marrë përgjegjësinë për një ndërprerje të madhe të energjisë elektrike që goditi pesë distrikte në jugperëndim të Berlinit, duke thënë se ky veprim shënjestronte industrinë e karburanteve fosile dhe “të pasurit”.

Deri në 50,000 familje dhe 2,200 biznese u prekën nga ndërprerja në orët e para të mëngjesit të së shtunës, tha një zëdhënës i ofruesit lokal të energjisë elektrike, “Stromnetz Berlin”, për gazetën “Berliner Zeitung”.

Rikthimi i plotë i furnizimit me energji nuk pritet përpara datës 8 janar, sipas kompanisë. Banorët e zonave të prekura do duhet të qëndrojnë pa energji në “temperatura ngrirëse” që variojnë nga -7°C deri në -1°C, raportoi gazeta.

Policia po e trajton incidentin si një sulm të qëllimshëm, sipas mediave lokale. Ndërprerja u shkaktua nga një zjarr që goditi një urë elektrike mbi kanalin Teltoë, i cili kalon përmes pjesës jugore të qytetit. Disa shtëpi pleqsh dhe qendra kujdesi për të moshuarit u desh të evakuoheshin për shkak të incidentit, sipas zjarrfikëseve. Nuk raportohet për viktima në lidhje me ngjarjen, shkruan Rt.

Policia tha gjithashtu se kishte marrë një letër të nënshkruar nga “Grupi Vullkan” të shtunën në mbrëmje, në të cilën aktivistët e klimës dhe antifashistët morën përgjegjësinë për incidentin. Grupi fajësoi nxjerrjen industriale të burimeve natyrore për “shkatërrimin” e Tokës dhe tha se njerëzimi “nuk mund t’i përballojë më të pasurit”. Grupi më pas tha se kishte “sabotuar me sukses” një termocentral me gaz, duke shtuar se veprimi i tyre ishte “përfitues për shoqërinë” dhe shënjestronte industrinë e karburanteve fosile.

Zyra rajonale e shërbimit të sigurisë së brendshme gjermane po verifikonte vërtetësinë e letrës, sipas policisë.

Sipas “Berliner Zeitung”, grupi kishte kryer sulme të ngjashme në të kaluarën. Ata morën përgjegjësinë për sabotimin e dy kabllove të energjisë në Berlinin juglindor në shtator. Edhe ai sulm la rreth 50,000 familje pa energji elektrike në atë kohë.