
Një gjykatë në Paris shpalli fajtorë të hënën 10 persona për ngacmim kibernetik ndaj Zonjës së Parë të Francës, Brigitte Macron, për përhapjen e pretendimeve të rreme se ajo është një grua transgjinore e lindur mashkull.
Brigitte dhe bashkëshorti i saj, presidenti francez Emmanuel Macron, janë përballur prej kohësh me qëndrime të tilla, përfshirë pretendimet se ajo ka lindur me emrin Jean-Michel Trogneux – që është në fakt emri i vëllait të saj më të madh.
Diferenca prej 24 vitesh në moshë e çiftit ka nxitur gjithashtu kritika dhe thumbime, të cilat ata i kanë shpërfillur kryesisht për vite me radhë, por kohët e fundit kanë filluar t’i sfidojnë në gjykatë.
Vendimi i së hënës shënon një fitore për Macronët ndërsa ata po ndjekin një padi tjetër të bujshme për shpifje në SHBA kundër influencueses dhe podcaster-es së krahut të djathtë, Candace Oëens, e cila gjithashtu ka pretenduar se Brigitte ka lindur mashkull.
Tetë burra dhe dy gra u shpallën fajtorë për komente dashakeqe mbi gjininë dhe seksualitetin e Brigitte Macron, duke e barazuar madje diferencën e moshës me bashkëshortin e saj me “pedofilinë”.
Ata morën dënime të ndryshme. Njëri u dënua me gjashtë muaj burg pa kusht. Të tjerët morën dënime me burg me kusht deri në tetë muaj. Ndëshkime të tjera përfshinin gjoba dhe kurse të detyrueshme ndërgjegjësimi për ngacmimin kibernetik, ndërsa pesë prej tyre iu ndalua përdorimi i platformës sociale ku kishin postuar, shkruan Reuters.
Duke folur për TF1 të dielën mbrëma, Brigitte Macron mbrojti luftën e saj kundër bullizuesve kibernetikë, me shpresën se do shërbente si shembull për të tjerët. Ajo tha se sulmet në internet kundër saj dukeshin të pafundme dhe përfshinin “njerëz që ndërhynë në faqen time të taksave dhe ndryshuan identitetin tim.”
Ajo gjithashtu u ankua se sulmuesit e saj anashkaluan provat e forta të gjinisë së saj.
“Një certifikatë lindjeje nuk është asgjë. Është një baba ose një nënë që shkon të deklarojë fëmijën e tyre, që thotë se kush është ai apo ajo,” tha ajo.
“Dua të ndihmoj adoleshentët të luftojnë kundër ngacmimeve, dhe nëse unë nuk jap shembullin, do jetë e vështirë.”