Vendosni fjalën kyçe....

Të paktën 16 të vdekur në Iran gjatë një jave protestash, thonë grupet e të drejtave të njeriut


Të paktën 16 persona janë vrarë gjatë një jave trazirash në Iran, kanë bërë të ditur grupet e të drejtave të njeriut, ndërsa protestat e nxitura nga inflacioni i lartë janë përhapur në mbarë vendin, duke sjellë përplasje të dhunshme mes protestuesve dhe forcave të sigurisë.

Vrasje dhe arrestime janë raportuar gjatë gjithë javës si nga mediat shtetërore, ashtu edhe nga organizata të pavarura, megjithëse shifrat ndryshojnë.

Megjithatë Reuters thekson se nuk ka qenë në gjendje t’i verifikojë në mënyrë të pavarur këto të dhëna.

Këto protesta janë më të mëdhatë në tre vitet e fundit. Zyrtarë të lartë iranianë kanë përdorur një gjuhë më të butë krahasuar me episode të mëparshme trazirash, në një moment kur Republika Islamike ndodhet në një fazë të brishtë për shkak të krizës ekonomike dhe rritjes së presionit ndërkombëtar.

Presidenti Masoud Pezeshkian i ka kërkuar Ministrisë së Brendshme të ndjekë një qasje “të kujdesshme dhe të përgjegjshme” ndaj protestuesve, sipas deklaratave të publikuara nga mediat shtetërore, duke theksuar se “shoqëria nuk mund të bindet apo qetësohet me metoda të dhunshme”.

 Kjo konsiderohet gjuha më pajtuese e përdorur deri tani nga autoritetet, të cilat njëkohësisht kanë pranuar vështirësitë ekonomike dhe kanë premtuar dialog, edhe pse forcat e sigurisë kanë vazhduar ndërhyrjet në rrugë.

Presidenti i SHBA, Donald Trump, ka kërcënuar se do të vijë në ndihmë të protestuesve nëse ata përballen me dhunë, duke deklaruar të premten se “jemi gati dhe të përgatitur”, pa sqaruar se çfarë veprimesh konkrete po shqyrtonte.

Kjo deklaratë ka nxitur reagime të ashpra nga zyrtarë të lartë iranianë, të cilët kanë paralajmëruar hakmarrje ndaj forcave amerikane në rajon. Udhëheqësi suprem Ajatollah Ali Khamenei ka deklaruar se Irani “nuk do t’i nënshtrohet armikut”.

Grupi kurd i të drejtave të njeriut Hengaw raporton se të paktën 17 persona janë vrarë që nga nisja e protestave, ndërsa rrjeti i aktivistëve HRANA flet për 16 të vrarë dhe 582 të arrestuar.

Shefi i policisë iraniane, Ahmad-Reza Radan, ka deklaruar për mediat shtetërore se forcat e sigurisë kanë arrestuar drejtues të protestave gjatë dy ditëve të fundit, duke shtuar se “një numër i madh drejtuesish në hapësirën virtuale janë ndaluar”.

Policia ka bërë të ditur gjithashtu se vetëm në Teheran janë arrestuar 40 persona për atë që autoritetet e quajnë publikime të rreme në rrjetet sociale, me qëllim shqetësimin e opinionit publik.

Përplasjet më të ashpra janë raportuar në pjesët perëndimore të Iranit, por protesta dhe tensione ka pasur edhe në Teheran, në zona qendrore, si dhe në provincën jugore të Baluchistanit.

Të shtunën në mbrëmje, guvernatori i qytetit të Qomit, qendër konservatore e establishmentit fetar shiit, tha se dy persona kishin humbur jetën gjatë trazirave, duke shtuar se njëri prej tyre kishte vdekur pasi një mjet shpërthyes i improvizuar që po përgatiste kishte shpërthyer para kohe.

Protestat nisën një javë më parë nga tregtarë dhe shitës nëpër pazare, përpara se të përhapeshin te studentët universitarë dhe më pas në qytete të ndryshme provinciale, ku disa protestues kanë brohoritur slogane kundër udhëheqjes klerikale të vendit.

Irani po përballet me inflacion mbi 36% që nga fillimi i vitit të tij fiskal në mars, ndërsa monedha vendase, rial-i, ka humbur rreth gjysmën e vlerës ndaj dollarit amerikan, duke sjellë vështirësi të mëdha për popullsinë.

Rivendosja e sanksioneve ndërkombëtare për programin bërthamor, problemet me furnizimin me ujë dhe energji elektrike, si dhe parashikimet e institucioneve financiare ndërkombëtare për një recesion në vitin 2026, kanë rënduar më tej situatën ekonomike.

Khamenei deklaroi të shtunën se autoritetet do të flasin me protestuesit, por paralajmëroi se “traziraxhinjtë duhet të vihen në vendin e tyre”.

Ndërkohë, zëvendëspresidenti Mohammadreza Aref tha se qeveria pranon mangësitë me të cilat përballet vendi, por paralajmëroi se disa individë po përpiqen të shfrytëzojnë protestat, duke u bërë thirrje të rinjve “të mos bien në grackën e armiqve”.