
Kreu në mërgim i opozitës iraniane Reza Pahlavi, u ka bërë thirrje iranianëve që të mos i lëshojnë rrugët deri në rrëzimin e regjimit.
Në një mesazh në rrjetet sociale, ai u ka kërkuar të bëjnë rezistencvë, të kenë solidaritet me njëri-tjetrin ndërsa ka premtuar se do i ndihmojë për të rritur numrin e dezertorëve mes radhëve të forcave të sigurisë.
“Bashkëatdhetarët e mi, ju përshëndes juve dhe nderoj guximin tuaj. Republika Islamike u përpoq t’ju mbyllte në shtëpitë tuaja duke mbyllur vendet publike dhe universitetet. Por ju qëndruat me trimëri në rrugë. Jam krenar për secilin prej jush. Ka nevojë për solidaritet më të madh dhe për të mbajtur kontrollin e rrugëve. Prandaj, ju kërkoj që të shfrytëzoni çdo mundësi, tubim dhe ngjarje në ditët në vijim për të zgjeruar këtë lëvizje. Ekipi im dhe unë do të vazhdojmë të punojmë drejt mobilizimit të më shumë forcave, duke shkaktuar më shumë dezertime nga regjimi, si dhe duke përcjellë zërin tuaj në botë. Fitorja është jona.” – shkruan Pahlavi në mesazhin drejtuar iranianëve.
Media iraniane raportoi se disa protestues janë vrarë nga forcat qeveritare gjatë protestave kundër qeverisë që kanë shpërthyer në të gjitha qytetet kryesore të vendit.
Të vrarët janë qëlluar në Lordegan ndërsa sipas medias së lidhur me qeverinë iraniane Fars Neës, protestuesit kanë qenë të armatosur.
E enjtja shënoi ditën e pestë të protestave në Iran kunder qeverisë, shkruan Yjet. Fillimisht protestat nisën nga tregtarët për shkak të zhvlerësimit të monedhës vendase por më pas janë zgjeruar edhe me kërkesa të tjera.
Në një qytet në jug të Iranit, qytetarët kanë shpërthyer rrethimin e një godinë qeveritare ndërsa në qytete të tjera protestuesit u kanë vënë flakën makinave të policisë.
Studentët u janë bashkuar protestave të qytetarëve. Një i vrarë është raportuar edhe në Isfahan. Presidenti i vendit Pezeshkian ka bërë thirrje për dialog e uljen e tensioneve.