
Presidenti francez, Emmanuel Macron, riafirmoi të martën mbështetjen e vendit të tij për sovranitetin dhe integritetin territorial të Danimarkës dhe Grenlandës, transmeton Anadolu.
Duke iu referuar vizitës së tij qershorin e kaluar në Nuuk, kryeqytetin e Grenlandës, Macron tha se Grenlanda “i përket popullit të saj”, ndërsa Danimarka “është garantuesi i saj”.
“Unë e shoqëroj zërin tim me atë të evropianëve për të shprehur solidaritetin tonë të plotë“, tha ai në platformën e kompanisë amerikane të mediave sociale X.
Franca shtoi Macron, mbetet e përkushtuar për të mbështetur të drejtën ndërkombëtare dhe për të mbështetur partnerët e saj evropianë në mbrojtjen e integritetit territorial.
Më parë, Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, njoftoi se Jeff Landry, guvernatori i Luizianës, do të shërbejë si i dërguari special i SHBA-së në Grenlandë.
Trump shkroi në platformën e tij Truth Social se Landry e njeh “sa thelbësore është Grenlanda” për sigurinë kombëtare të SHBA-së dhe do të përparojë fuqishëm interesat e vendit për të garantuar sigurinë e aleatëve dhe botës në përgjithësi.
Grenlanda, një territor autonom nën sovranitetin danez, ka tërhequr interesin e SHBA-së për shkak të vendndodhjes së saj strategjike dhe burimeve të mëdha minerale.
Trump më parë e përshkroi zotërimin e Grenlandës si një “domosdoshmëri absolute” për sigurinë ekonomike të SHBA-së, duke e krahasuar atë me një “marrëveshje të madhe pasurish të patundshme”.
Si Danimarka ashtu edhe Grenlanda kanë hedhur poshtë çdo propozim për të shitur territorin, duke riafirmuar sovranitetin danez mbi ishullin.