
Kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, ka akuzuar kryeministrin Edi Rama për përfshirje të drejtpërdrejtë në skandalet e AKSHI-t.
Gjatë mbledhjes së Këshillit për Mandatet dhe Imunitetet, Bardhi deklaroi se Rama nuk ka guxim të shkarkojë drejtoreshën e AKSHI-t, Mirlinda Karçanaj, pasi sipas tij, ajo disponon informacione që mund të implikojnë edhe familjen e kryeministrit.
“Nuk guxon ta shkarkojë Mirlindën, sepse ajo e merr me vete, bashkë me Lindën. Po tentojnë që të prishin hetimet,” u shpreh Bardhi.
Ai shtoi se sjellja e mazhorancës ka për qëllim ndërhyrjen dhe sabotimin e hetimeve që lidhen me këtë çështje, ndërsa opozita do të vijojë presionin institucional.
“Ne 5 anëtarët e opozitës do të thërrasim sërish Këshillin ditën e premte, në orën 11:00,” deklaroi Bardhi.
Akuzat e opozitës vijnë në vijim të zhvillimeve të fundit rreth hetimeve për AKSHI-n, çështje që ka nxitur reagime të forta politike dhe ka vënë në qendër të debatit publik përgjegjësinë e qeverisë dhe të kryeministrit Rama.