
Përfaqësues të subjektit politik Partia Demokratike e Shqipërisë kanë njoftuar Policinë e Tiranës për zhvillimin e një tubimi ditën e sotme, i cili do të nisë në orën 18:00, përpara Kryeministrisë.
Në zbatim të ligjit “Për tubimet”, Policia e Tiranës ka marrë të gjitha masat e nevojshme për garantimin e rendit dhe sigurisë publike, respektimin e të drejtave dhe lirive të qytetarëve, si dhe mbrojtjen e pronës publike dhe private.
Në kuadër të këtyre masave, do të ketë kufizime të parkimit dhe të qarkullimit në disa akse rrugore të kryeqytetit:
Nga ora 14:00, nuk do të lejohet parkimi i automjeteve në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, sheshin “Nënë Tereza”, rrugën “Ismail Qemali”, nga kryqëzimi i Rrugës së Elbasanit me rrugën “Ibrahim Rugova”, në rrugën “Papa Gjon Pali II”, si dhe në bulevardet “Zhan D’Ark” dhe “Bajram Curri”, nga kryqëzimi i Rrugës së Elbasanit me rrugën “Ibrahim Rugova”.
Nga ora 14:00 deri në përfundim të tubimit, do të bllokohet qarkullimi i automjeteve në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, nga kryqëzimi pranë Ministrisë së Brendshme deri te sheshi “Nënë Tereza”, si dhe në rrugët “Ukraina e Lirë”, “Papa Gjon Pali II” dhe “Ismail Qemali”.
Policia bën me dije se, në varësi të zhvillimit të tubimit, mund të ketë kufizime edhe në akse të tjera rrugore. Në raste bllokimi, qarkullimi i automjeteve do të devijohet në rrugë alternative, për të lehtësuar lëvizjen e qytetarëve.
Policia e Tiranës u bën thirrje qytetarëve të shmangin lëvizjen me automjete në zonat e bllokuara dhe të përdorin rrugë alternative, me qëllim moskrijimin e pengesave për zhvillimin normal të tubimit.