Vendosni fjalën kyçe....

Opozita mban sot protestë kombëtare, në qendër aferat me tendera miliona euro të Ballukut



Opozita do të zhvillojë sot protestën kombëtare, të cilën e konsideron si një reagim ndaj korrupsionit qeveritar që, sipas saj, ka sjellë përkeqësim të kushteve të jetesës, rritje të pasigurisë dhe mohim të zgjedhjeve të lira dhe të barabarta.

Në qendër të protestës janë aferat e fundit që lidhen me zëvendëskryeministren dhe ministren e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, emri i së cilës është përfshirë në akuza për abuzime me tendera miliona eurosh, konkretisht në projektet e Unazës së Madhe dhe Tunelit të Llogarasë.

Opozita ka bërë thirrje për pjesëmarrje të gjerë qytetare në protestën që do të mbahet në orën 18:00, përpara Kryeministrisë. Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka akuzuar Ballukun se zotëron rreth 300 apartamente dhe dy jahte.

Kujtohet se, përveç faktit që Belinda Balluku është marrë e pandehur nga SPAK, vijon ende procedura për heqjen e imunitetit pas kërkesës së Prokurorisë së Posaçme, çka mund t’i hapë rrugë arrestimit të numrit dy të qeverisë.