
Kryeministrat e Danimarkës dhe Groenlandës kanë kërkuar respektimin e kufijve dhe sovranitetit të tyre, pasi presidenti i SHBA-së, Donald Trump, emëroi një të dërguar të posaçëm amerikan për Groenlandën, territorin gjerësisht vetëqeverisës nën sovranitetin danez, për të cilin Trump ka deklaruar disa herë se duhet të kalojë nën kontrollin e SHBA-së.
“Në këtë çështje kemi qenë shumë të qartë edhe më parë. Tani e themi sërish. Kufijtë kombëtarë dhe sovraniteti i shteteve janë të sanksionuara në të drejtën ndërkombëtare… Nuk mund të aneksoni vende të tjera”, thanë në një deklaratë të përbashkët kryeministrja daneze Mette Frederiksen dhe kryeministri i Groenlandës, Jens-Frederik Nielsen, përcjell The Guardian.
Dy liderët theksuan se janë në lojë “parime themelore”.
“Groenlanda u përket groenlandezëve dhe SHBA-ja nuk duhet ta marrë Groenlandën”, thuhet në deklaratë. “Ne presim respekt për integritetin tonë të përbashkët territorial.”
Të dielën, Trump emëroi guvernatorin e Luizianës, Jeff Landry, si të dërguar të posaçëm të SHBA-së për ishullin e madh arktik, të pasur me minerale. Presidenti amerikan ka deklaruar në disa raste se SHBA-ja ka nevojë ta marrë Groenlandën për arsye sigurie, duke mos përjashtuar as përdorimin e forcës.
Në një postim në rrjetet sociale, Trump shkroi: “Jeff e kupton sa thelbësore është Groenlanda për sigurinë tonë kombëtare dhe do të avancojë fuqishëm interesat e vendit tonë për sigurinë, mbrojtjen dhe mbijetesën e aleatëve tanë, madje edhe të botës.”
Nga ana e tij, Landry – ish-prokuror i përgjithshëm i shtetit dhe guvernator që nga janari 2024 – e falënderoi Trumpin, duke e quajtur “nder” shërbimin në këtë detyrë vullnetare “për ta bërë Groenlandën pjesë të SHBA-së”.
Ministri i Jashtëm i Danimarkës, Lars Løkke Rasmussen, deklaroi për televizionin danez se në ditët në vijim do të thërriste ambasadorin amerikan në Kopenhagë, Ken Howery, për të kërkuar “një shpjegim”.
Rasmussen tha se ishte “thellësisht i shqetësuar nga ky emërim i një të dërguari të posaçëm” dhe “veçanërisht i shqetësuar” nga deklarata e Landryt, të cilën Danimarka e konsideron “krejtësisht të papranueshme”.
Ai shtoi: “Për sa kohë që kemi një mbretëri në Danimarkë që përfshin Danimarkën, Ishujt Faroe dhe Groenlandën, nuk mund të pranojmë që dikush të minojë sovranitetin tonë.”
Nga Brukseli, një zëdhënës i Bashkimit Evropian, Anouar El Anouni, deklaroi se integriteti territorial dhe sovraniteti i Mbretërisë së Danimarkës janë “thelbësore”. Ndërkohë, vendet nordike fqinje, Suedia dhe Norvegjia, shprehën mbështetjen e tyre të plotë për Kopenhagën.
Ministrja e Jashtme e Suedisë, Maria Malmer Stenergard, tha se vendi i saj “do të qëndrojë gjithmonë në mbrojtje të së drejtës ndërkombëtare”, ndërsa homologu i saj norvegjez, Espen Barth Eide, u shpreh se Oslo “qëndron 100% pas Danimarkës”.
Sipas tij, emërimi i të dërguarit amerikan nënvizon synimin e Trumpit për ta bërë Groenlandën pjesë të SHBA-së. “Qëllimi i kësaj detyre që Jeff Landry duhet të kryejë është ta bëjë Groenlandën amerikane”, tha Eide.
Sipas një sondazhi të kryer në janar, shumica dërrmuese e rreth 57 mijë banorëve të Groenlandës dëshirojnë pavarësi nga Danimarka, por nuk kanë aspak dëshirë të bëhen pjesë e SHBA-së. Territori ka të drejtën të shpallë pavarësinë që prej vitit 2009.
Frederiksen shkroi në rrjetet sociale se “aleati i një jete” po e vendoste Danimarkën në “një situatë të vështirë”, por theksoi se vendi i saj nuk do të largohej nga vlerat demokratike.
Ndërkohë, Nielsen deklaroi se emërimi “mund të tingëllojë i madh”, por “nuk ndryshon asgjë për ne këtu. Ne kemi demokracinë tonë, vendimet tona dhe një komunitet të fortë që qëndron i palëkundur. Groenlanda u përket groenlandezëve”.
Edhe deputetja groenlandeze në parlamentin danez, Aaja Chemnitz, tha se vetë emërimi i një të dërguari amerikan nuk është problem në vetvete.
“Problemi është se atij i është dhënë detyra për ta marrë Groenlandën ose për ta bërë pjesë të SHBA-së”, u shpreh ajo.
“Në Groenlandë nuk ka dëshirë për këtë. Ka dëshirë që të respektohet e ardhmja që shumica e groenlandezëve dëshirojnë, pra të mbeten vendi i tyre dhe të zhvillojnë pavarësinë me kalimin e kohës.”
E vendosur strategjikisht midis Amerikës së Veriut dhe Evropës, në një kohë të rritjes së interesit amerikan, kinez dhe rus për Arktikun, Groenlanda ndodhet gjithashtu në rrugën më të shkurtër të mundshme për raketat mes Rusisë dhe SHBA-së.
Në gusht, Danimarka thirri të ngarkuarin me punë të SHBA-së për një takim urgjent, pas dyshimeve për një fushatë ndikimi, ku të paktën tre shtetas amerikanë me lidhje me Trumpin dhe Shtëpinë e Bardhë u akuzuan se po përpiqeshin të depërtonin në shoqërinë groenlandeze.
Që prej zgjedhjes së Trumpit, disa politikanë dhe biznesmenë të njohur amerikanë kanë vizituar Groenlandën. Djali i presidentit, Donald Trump Jr., vizitoi kryeqytetin Nuuk në janar, ndërsa zëvendëspresidenti, JD Vance, inspektoi një bazë ushtarake amerikane në mars.
Më herët këtë muaj, shërbimi danez i inteligjencës së mbrojtjes deklaroi në raportin e tij vjetor se SHBA-ja po përdor fuqinë e saj ekonomike për të “imponuar vullnetin e vet” dhe për të kërcënuar me forcë ushtarake si miqtë ashtu edhe kundërshtarët.