
Taksapaguesit e BE-së do duhet të paguajnë 3 miliardë euro në vit kosto huamarrjeje si pjesë e një plani për të rritur borxhin e përbashkët për të financuar mbrojtjen e Ukrainës kundër Rusisë, sipas zyrtarëve të lartë të Komisionit Evropian.
Udhëheqësit e bllokut ranë dakord në orët e para të së premtes për të mbledhur 90 miliardë euro për dy vitet e ardhshme, mbështetur nga buxheti i BE-së, për të siguruar që arka e luftës së Kievit të mos shterojë në prill.
Vendi i shkatërruar nga lufta përballet me një mungesë buxhetore prej 71.7 miliardë eurosh vitin e ardhshëm dhe ka nevojë të dëshpëruar për fonde për të siguruar mbijetesën, pasi presidenti rus Putin u zotua të premten se do e vijojë luftën.
Çekia, Hungaria dhe Sllovakia nuk do t’i bashkohen 24 vendeve të tjera të bllokut në ndarjen e barrës së borxhit, por ranë dakord të mos pengojnë nevojat financiare të Ukrainës. Si pjesë e marrëveshjes së përjashtimit, Komisioni do propozojë një të ashtuquajtur “bashkëpunim të shtuar” në fillim të javës së ardhshme, duke u dhënë 24 vendeve një platformë ligjore për të mbledhur borxhin e përbashkët.
Shumë nga karakteristikat e paketës financiare prej 210 miliardë eurosh për Ukrainën do barten në planin e ri për borxhin e përbashkët. Këto përfshijnë strukturat e pagesave me këste, masat mbrojtëse kundër korrupsionit dhe një plan se sa para duhet të shpenzohen për ushtrinë e Kievit dhe nevojat buxhetore të vendit.
Qeveritë evropiane iu drejtuan borxhit të përbashkët pasi dështuan të bien dakord për një plan polemizues për të shfrytëzuar asetet e ngrira ruse në mbarë bllokun.
Plani i ri do t’i siguronte Ukrainës 45 miliardë euro vitin e ardhshëm, duke i dhënë Kievit një mjet jetik shpëtimi ndërsa hyn në vitin e pestë të luftimeve. Fondet e mbetura do disbursoheshin në vitin 2027.
Kostoja e huamarrjes
Plani i ri nuk do të jetë i lirë. BE-ja pritet të paguajë 3 miliardë euro çdo vit si interes nga viti 2028 përmes buxhetit të saj shtatëvjeçar, i cili financohet kryesisht nga qeveritë e BE-së, u thanë gazetarëve të premten zyrtarë të lartë të Komisionit. Pagesat e interesit do fillonin në vitin 2027, por do kushtonin vetëm 1 miliard euro atë vit.
Ukraina do duhet ta shlyejë huanë vetëm pasi Rusia t’i japë fund luftës dhe të paguajë dëmshpërblimet e luftës. Kjo duket e pamundur, gjë që do të thotë se BE-ja mund ta rrotullojë vazhdimisht borxhin ose të përdorë asetet e ngrira ruse për ta shlyer atë.
Kjo do kërkonte një tjetër marrëveshje politike midis udhëheqësve të BE-së, pasi Belgjika është fuqimisht kundër përdorimit të aseteve të ngrira, shumica e të cilave mbahen në depozituesin financiar me bazë në Bruksel, Euroclear.
Ishte pikërisht kundërshtia e Belgjikës ajo që i detyroi udhëheqësit të ndiqnin rrugën e borxhit të përbashkët. Kryeministri belg Bart De Wever kërkoi garanci financiare të pakufizuara kundër huasë së mbështetur nga asetet ruse, një kërkesë kjo shumë e madhe për kolegët e tij, shkruan Politico.