Vendosni fjalën kyçe....

Zjarrvënie në Prishtinë, digjen pesë vetura të parkuara


Një incident i zjarrvënies që ka rrezikuar sigurinë publike është regjistruar mbrëmjen e së enjtes në rrugën “Muharrem Fejza” në Prishtinë. Sipas të dhënave paraprake, një person ka vënë zjarr, i cili është përhapur me shpejtësi duke shkaktuar dëme materiale.

Si pasojë e flakëve, janë dëmtuar pesë automjete të parkuara pranë vendit të ngjarjes. Pas njoftimit, njësitë e Policisë së Kosovës kanë intervenuar menjëherë, kanë rrethuar zonën dhe kanë nisur procedurat hetimore. Zjarri është vënë nën kontroll, ndërsa nuk raportohet për persona të lënduar.

Policia ka hapur hetim për sqarimin e plotë të rrethanave të rastit dhe identifikimin e të dyshuarit, duke e cilësuar ngjarjen si “Zjarrvënie dhe shkaktim i rrezikut të përgjithshëm”.