
Zyrtarë të SHBA-së dhe Rusisë do të takohen të shtunën në Miami për një raund të ri bisedimesh mbi përfundimin e luftës në Ukrainë. Ky takim pason diskutimet e së premtes në Berlin, ku i dërguari i Trump, Steve Witkoff, dhe kunati i tij Jared Kushner u takuan me zyrtarë të BE-së dhe Ukrainës për të diskutuar garancitë e sigurisë amerikane për Kievin, koncesionet territoriale dhe pjesë të tjera të planit të propozuar nga SHBA, përcjell Euronews.
Gjithashtu, kreu i negociatorëve ukrainas, Rustem Umerov, tha se një delegacion ukrainas është takuar me partnerët amerikanë dhe europianë në SHBA dhe kanë rënë dakord të vazhdojnë bashkëpunimin në të ardhmen e afërt.
Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, deklaroi se Moska po përgatitet për takimin në Miami dhe do të informohet mbi rezultatin e bisedimeve në Berlin, duke shmangur detaje të tjera.
Ndërkohë, presidenti rus Vladimir Putin, gjatë konferencës së tij vjetore për shtyp, theksoi se nuk do të ketë më “operacione të veçanta” – termi që ai përdor për pushtimin e plotë të Ukrainës – nëse Perëndimi trajton Rusinë me respekt. Ai shtoi se Rusia është e gatshme për një zgjidhje paqësore që adreson “shkaqet rrënjësore” të konfliktit dhe se ka pranuar të bëjë “disa kompromise” gjatë samitit në Alaska me Trump në gusht, pa dhënë detaje të mëtejshme.
Putin gjithashtu përgëzoi përpjekjet diplomatike të Trump për paqen dhe e quajti të pabazuar shqetësimin e disa udhëheqësve perëndimorë që paralajmërojnë për një luftë të re me Rusinë. Ai u shpreh: “Nuk do të ketë operacione nëse na trajtoni me respekt, nëse respektoni interesat tona ashtu siç gjithmonë kemi tentuar të respektojmë tuajat.”