
Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu pritet të informojë javën e ardhshme presidentin amerikan Donald Trump mbi zgjerimin e programit të raketave balistike të Iranit dhe mbi opsionet e mundshme për sulme ushtarake, përcjell JPost, duke cituar raportime amerikane.
Sipas një raportimi të NBC News, takimi është konfirmuar nga një burim me njohuri të drejtpërdrejta mbi planet dhe nga katër ish-zyrtarë amerikanë të informuar për çështjen. Zyrtarë izraelitë kanë bërë të ditur se takimi mes Netanyahut dhe Trump do të zhvillohet më 29 dhjetor.
Burimet e NBC bëjnë me dije se Netanyahu do të argumentojë se zgjerimi i programit balistik të Iranit përbën kërcënim serioz jo vetëm për Izraelin, por për të gjithë rajonin dhe interesat amerikane në Lindjen e Mesme.
Takimi vjen vetëm një javë pasi Trump sinjalizoi mundësinë e bisedimeve me Iranin, duke paralajmëruar njëkohësisht Teheranin që të mos rindërtojë programet e tij raketore apo bërthamore.
“Nëse ata duan të kthehen pa një marrëveshje, atëherë do ta shkatërrojmë edhe atë. Ne mund t’i eliminojmë raketat e tyre shumë shpejt; kemi fuqi të jashtëzakonshme,” deklaroi Trump.
Një burim diplomatik izraelit i tha medias Walla se përmbajtja dhe temat e takimit do të mbeten për t’u diskutuar gjatë vetë takimit, pa dhënë detaje të mëtejshme.
Ndërkohë, The Washington Post raportoi javën e kaluar se SHBA-ja kishte mbështetur plane të tjera izraelite kundër Iranit gjatë një lufte 12-ditore, duke përfshirë edhe miratimin e sulmeve precize ndaj shkencëtarëve bërthamorë iranianë.
Sipas raportit, megjithëse operacionet u paraprinë nga përgatitje të gjera dhe autoritetet izraelite pohuan se u morën masa për të kufizuar viktimat civile, ndërhyrja nuk ishte plotësisht e përsosur.
Burime të njohura me çështjen theksojnë se udhëheqja izraelite e konsideron diplomacinë si një mjet për të ndikuar pozitivisht opinionin ndërkombëtar, por ekziston shqetësimi se Trump mund të pranojë një marrëveshje të pafavorshme për frenimin e ambicieve bërthamore të Iranit.