
Kryeministri Edi Rama ka deklaruar se Shqipëria nuk do ta zgjasë ndalimin njëvjeçar të platformës TikTok, duke vlerësuar bashkëpunimin e saj me Qeverinë shqiptare. Në një intervistë për POLITICO, Rama tha se pas takimeve konstruktive me përfaqësuesit e platformës së mediave sociale, pala shqiptare është e kënaqur me rezultatin.
“E kemi bërë partneritetin dhe shpresoj që në javët ose muajt në vijim do t’ia zbulojmë planin popullit shqiptar, siç e premtuam”, u shpreh Rama.
Kryeministri theksoi se ishte “shumë i befasuar” nga reagimi i TikTok pas vendimit fillestar të Shqipërisë për ndalimin e platformës. “Sepse në fillim, për shkak se ishte normale të mendonim se ata do të na luftonin, ata do të hakmerreshin ndaj nesh, do të na ngacmonin. I takova vetë dhe mbeta shumë i impresionuar nga qëndrimi i tyre. Ata po i dëgjonin me shumë kujdes pikat tona”, tha Rama për POLITICO, në margjinat e Samitit BE–Ballkani Perëndimor.
TikTok nuk iu përgjigj menjëherë kërkesës së POLITICO-s për koment.
Shqipëria vendosi ndalimin e platformës në mars të vitit 2025, pas rreth një viti bisedimesh me TikTok mbi çështjet e dhunës dhe abuzimit online, përfshirë raste vetëvrasjesh që besohet se lidhen me ngacmimin në rrjet. Vendimi erdhi pas vrasjes së një 14-vjeçari jashtë një shkolle, pas një konflikti të nisur online, çka e shtyu qeverinë të urdhëronte bllokimin e aksesit në versionet desktop dhe aplikacion.
Megjithatë, ky vendim u shoqërua me reagime të forta nga opozita dhe organizatat e shoqërisë civile, të cilat e cilësuan ndalimin si akt censure dhe kufizim të shprehjes politike në internet. Deputeti i opozitës Agron Gjekmarkaj deklaroi më herët për POLITICO se Rama po e përdorte ndalimin përpara zgjedhjeve të majit për të dobësuar praninë e opozitës online.
I pyetur nëse ndalimi ishte efektiv në frenimin e dhunës në shkolla, Rama u përgjigj: “Ka qenë efektiv në ndërtimin e kësaj marrëdhënieje me TikTok-un dhe në sjelljen e disa masave mbrojtëse që nuk ekzistonin.”
Sipas raportimeve të mediave lokale, ndalimi pati pak ndikim në uljen e dhunës në shkolla apo në frenimin e dhunës dixhitale.
Ndërkohë, Rama përjashtoi mundësinë që Shqipëria të mbështesë kufizime të përdorimit të mediave sociale nga të miturit, një debat që po zhvillohet aktualisht në disa vende të BE-së.
“Këto janë budallallëqe. Kjo është diçka që Shqipëria nuk do ta marrë në konsideratë. Nuk funksionon”, tha ai, duke shtuar se pa një identifikim të plotë të përdoruesve, shoqëritë mbeten të ekspozuara ndaj sulmeve nga “trollët dhe robotët”.