
Këtë të premte do të mblidhet Këshilli për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin në Kuvend, ku do të shqyrtohet kërkesa e Prokurorisë së Posaçme (SPAK) për dhënien e autorizimit për arrestimin e zëvendëskryeministres Belinda Balluku.
Mbledhja është parashikuar të nisë në orën 10:30 dhe pritet të zhvillohet në një klimë të tensionuar politike, për shkak të peshës së rëndë të akuzave dhe funksionit të lartë shtetëror që mban Balluku.
Zëvendëskryeministrja është e pandehur për shkelje të dyshuara në procedurat e tenderit prej 190 milionë eurosh për ndërtimin e Tunelit të Llogarasë. Paralelisht, ajo ndodhet nën hetim edhe për shtatë lotet e projektit të Unazës së Madhe, me një vlerë totale prej rreth 450 milionë eurosh.
Sipas SPAK, Balluku dyshohet se ka pasur rol aktiv në përcaktimin e fituesve të këtyre tenderave, duke cenuar parimet e konkurrencës dhe ligjshmërisë në prokurimet publike. Hetimet përfshijnë gjithashtu edhe tre tendera të tjerë, për të cilët prokuroria dyshon se fituesit janë përcaktuar paraprakisht.
Vendimi i Këshillit të Mandateve dhe Imunitetit do t’i hapë rrugë më pas votimit në seancë plenare të Kuvendit, i cili do të vendosë nëse do t’i japë ose jo autorizim SPAK-ut për arrestimin e zëvendëskryeministres. Çështja pritet të ketë zhvillime të forta politike dhe institucionale në ditët në vijim.