
Gjykata e Posaçme e Apelit ka lënë në fuqi masën e sigurisë të ndalimit të daljes jashtë shtetit ndaj zëvendëskryeministres dhe ministres së Infrastrukturës, Belinda Balluku.
Ndërkohë, Apeli nuk ka shqyrtuar masën e pezullimit nga detyra, të vendosur në shkallën e parë, në pritje të një vendimmarrjeje nga Gjykata Kushtetuese.
Gjatë seancës, SPAK ka kërkuar lënien në fuqi të plotë të vendimit të shkallës së parë, përfshirë edhe pezullimin nga detyra. Sipas burimeve, prokuroria ka argumentuar se Gjykata Kushtetuese ka pezulluar vetëm efektet e masës, por jo vetë masën e sigurisë.
Prokurorët Dritan Prençi dhe Dorina Bejko kanë paraqitur prova të reja, të cilat, sipas tyre, rëndojnë pozitën penale të Ballukut. Megjithatë, Apeli ka vendosur të mos shprehet për masën e pezullimit deri në një vendim përfundimtar të Gjykatës Kushtetuese.
Në të njëjtën seancë, të pandehurit e tjerë, Erald Elezi dhe Gentian Gjyli, kanë kërkuar zëvendësimin e masës së sigurisë “arrest në shtëpi” me një masë më të lehtë, me arsyetimin se ndalimi aktual i pengon në ushtrimin e funksioneve të tyre.
Seanca në Apelin e GJKKO u zhvillua në një kohë kur SPAK i është drejtuar Kuvendit me kërkesë për autorizimin e arrestimit të Ballukut.
Kjo kërkesë vjen pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese, e cila ka rikthyer përkohësisht në detyrë ministren, deri në shqyrtimin e ankimit të kryeministrit Edi Rama për konfliktin e kompetencave mes GJKKO-së dhe Këshillit të Ministrave.
Balluku është marrë e pandehur për “shkelje të barazisë në tenderë”, lidhur me tenderin për Tunelin e Llogarasë me fond limit 190 milionë euro. Paralelisht, SPAK ka nisur hetime edhe për shtatë lotet e Unazës së Madhe, projekt me vlerë totale rreth 450 milionë euro.
Drejtori i KESH-it, Erald Elezi, akuzohet për shkelje të barazisë në tenderë për dy procedura me vlerë 210 milionë euro, Tunelin e Llogarasë dhe lotin 4 të Unazës së Madhe, ndërsa kreu i ARRSH-së, Gentian Gjyli, akuzohet për të njëjtën vepër penale lidhur me tenderin e Tunelit të Llogarasë.