Vendosni fjalën kyçe....

“Krimi ka kapur pushtetin, vetëm në Llogara u grabitën 190 milionë euro” – Këlliçi thirrje qytetarëve për protestën e 22 dhjetorit


Drejtuesi politik i PD-së për Tiranën Belind Këlliçi është takuar me banorë të Njësisë 9 në zonën e Don Boskos.

Gjatë takimeve me qytetarë e biznese të vogla ai ka theksuar se ka qindra arsye pse qytetarët duhet të protestojnë më 22 dhjetor në orën 18:00 para kryeministrisë.

Këlliçi u tha qytetarëve se vetëm në Tunelin e Llogarasë qytetarëve u janë grabitur 190 milionë euro ndërsa sipas raporteve ndërkmbëtare, krimi i organizuar ka kapur majat e qeverisë.

“Me banorët dhe bizneset e vogla të zonës së Don Boskos, në Njësinë nr.9, Tiranë.

Arsyet se përse qytetarët duhet të dalin në protestën e së hënës janë të pafundme:

Për arsye ekonomike.

Ekonomia jote dhe e familjes tënde sa vjen e rëndohet me inflacionin pa kontroll, rrogat në stanjacion dhe ndihmën sociale qesharake. Në të njëjtën kohë kur qeveria zhytet në luks, i lejon vetes të abuzojë me 190 milionë euro vetëm në tunelin e Llogarasë.

Për sigurinë tënde dhe të familjes tënde.

Raportet dhe mediat euro-amerikane thonë hapur atë që nën zë e pohojnë të gjithë: krimi ka akses në majat e pushtetit dhe ka dalë jashtë kontrollit, duke rrezikuar jetën dhe pronën e qytetarëve.

Për arsye të dinjitetit.

Asnjë shoqëri funksionale nuk mund të ngrihet mbi hajdutërinë e normalizuar. Në një kohë kur qytetari i thjeshtë përndiqet dhe kriminalizohet për çështjet më banale, klika afër kryeministrit mbrohet me forcë nga prangat e drejtësisë dhe ligjit.

Për lirinë.

Terrori ndaj administratës, kapja e mediave, e shoqërisë civile synojnë mbylljen e gojës, shpëlarjen e trurit dhe ndrydhjen e ndërgjegjes së lirë. A është neodiktatura trashëgimia që duam t’i lëmë brezave?

Për demokracinë.

Të gjitha më lart përmblidhen tek institucionet demokratike.

Llogaridhënia, ndarja e pushteteve, parlamentarizmi.

Vota e lirë.

Kjo është pika kritike e historisë shqiptare ku demokracia duhet ruajtur nga tirani i fundit i Ballkanit.

Të hënën, datë 22, ora 18:00, shihemi të gjithë në shesh.” – shkruan Këlliçi.