
Kancelari Friedrich Merz deklaroi se trupat gjermane mund të marrin pjesë në një koalicion për të siguruar një zonë të çmilitarizuar në Ukrainë pas një marrëveshjeje të mundshme paqeje, sipas rregullave që do t’i lejonin ato “të kundërpërgjigjen ndaj inkursioneve dhe sulmeve përkatëse ruse”.
“Nuk jemi ende deri në atë pikë,” tha Merz për televizionin publik ZDF në Berlin të martën në mbrëmje. Kancelari shprehu optimizëm se presidenti rus Putin do duhet përfundimisht të bjerë dakord për një zgjidhje.
“Putini i ka thënë ‘nyet’ (jo) shumë gjërave, por në një pikë ai do duhet t’i thotë edhe ‘po’ diçkaje kur bëhet fjalë për përfundimin e kësaj lufte,” tha ai.
Duke folur për televizionin publik, Merz dha detaje mbi garancitë e mundshme të sigurisë të rëna dakord në bisedimet e Berlinit më 15 dhjetor midis zyrtarëve amerikanë dhe presidentit ukrainas Volodymyr Zelensky, raporton Caliber.Az sipas mediave të huaja.
Ai tha se garantuesit do duhej të vepronin nëse Rusia shkel ndonjë nga kushtet e armëpushimit.
“Ne do siguronim një zonë të çmilitarizuar midis palëve ndërluftuese dhe, për të qenë shumë specifikë, do vepronim gjithashtu kundër inkursioneve dhe sulmeve përkatëse ruse. Nuk kemi mbërritur ende atje,” tha Merz.
Ai e përshkroi angazhimin e SHBA-së për mbrojtjen e Ukrainës në rast të një armëpushimi si “një pozicion të ri të jashtëzakonshëm për Shtetet e Bashkuara të Amerikës”. Rusia ende nuk ka rënë dakord për një armëpushim apo për praninë e trupave perëndimore në tokën ukrainase.