Vendosni fjalën kyçe....

Kosova nënshkruan ujdi për blerjen e sistemeve të artilerisë HUMVEE Hawkeye nga prodhuesi amerikan



Kosova ka nënshkruar marrëveshje me prodhuesin amerikan të industrisë ushtarake AM General për blerjen e sistemeve moderne të artilerisë së lëvizshme HUMVEE Hawkeye 105mm, njoftoi ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci. Ai theksoi se kjo blerje shënon një hap të rëndësishëm në zhvillimin e ushtrisë dhe rritjen e fuqisë së zjarrit për distanca të largëta, përcjell REL.

Sipas kontratës, FSK do të pajiset gjithashtu me ambulanca, kamionë komandimi dhe kontrolli, si dhe mjete mbështetëse për vendosjen e baterive të artilerisë dhe funksionimin e kapaciteteve të qitjes indirekte. Prodhuesi amerikan njoftoi se sistemet e para do të dorëzohen brenda dy viteve të ardhshme.

HUMVEE Hawkeye ka teknologjinë Soft Recoil, që mundëson vendosjen dhe zhvendosjen e topit 105 mm në më pak se 90 sekonda, duke rritur mbijetesën në fushëbetejë. Kjo blerje shënon një vazhdim të përpjekjeve të Kosovës për modernizimin e Forcës së Sigurisë, që prej vitit 2018 po transformohet gradualisht në ushtri.

Kosova ka intensifikuar blerjet e armatimeve nga SHBA dhe Turqia, duke përfshirë raketa dhe dronë, dhe synon blerje të përbashkëta armësh me Shqipërinë dhe Kroacinë. Buxheti për mbrojtjen këtë vit është 207.8 milionë euro.