
Deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku, ka reaguar pas kërkesës së SPAK drejtuar Kuvendit për heqjen e imunitetit dhe autorizimin e arrestimit të zëvendëskryeministres dhe ministres së Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku.
Në një postim në rrjetet sociale, Tabaku akuzon kryeministrin Edi Rama dhe mazhorancën socialiste se po përgatiten t’i ofrojnë Ballukut mburojë politike, duke paralajmëruar një votë kundër kërkesës së Prokurorisë së Posaçme.
“Kryeministri po bëhet gati t’i ofrojë mburojë politike zëvendëses së tij të pandehur. Mbështetja ndaj drejtësisë shihet me vepra, jo me fjalë. Por sot, mazhoranca socialiste duket e vendosur të votojë kundër kërkesës së SPAK”, shkruan Tabaku.
Sipas deputetes demokrate, çështja e Ballukut nuk është më thjesht një proces ligjor, por një provë politike dhe morale për shumicën parlamentare.
“Kjo nuk është më vetëm një çështje gjykate, kjo është një çështje e thellë morali. Vetëm një qeveri e të pandehurve mund të bëhet mburojë për korrupsionin e një qeverie të tërë”, thekson ajo.
Postimi i Tabakut:
Kryeministri po bëhet gati t’i ofrojë mburojë politike zëvendëses së tij të pandehur! Mbështetja ndaj drejtësisë shihet me vepra, jo me fjalë! Por sot, mazhoranca socialiste duket e vendosur të votojë kundër kërkesës së SPAK. Siç e kam paralajmëruar pak ditë më parë: Kjo nuk është më vetëm një çështje gjykate, kjo është një çështje e thellë morali. Vetëm një qeveri e të pandehurve mund të bëhet mburojë për korrupsionin e një qeverie të tërë.
Në këto 12 vite, Shqipëria ka pasur vetëm një gjë në modë: korrupsionin galopant dhe vjedhjen pa pikë turpi të taksave dhe të ardhmes së shqiptarëve. Fatkeqësisht, sot kemi përballë një Kryeministër që nuk sillet si burrë shteti, por si një avokat publik, institucional dhe politik i të gjithë atyre që akuzohen për abuzim me detyrën.
Një vend me standarde demokratike respekton vendimet e institucioneve të pavarura, nuk u shpall luftë atyre që kanë për detyrë të hetojnë! Një vend demokratik nuk i bën presion drejtësisë duke paralajmëruar përdorimin e forcës së kartonave për të shkelur barazinë para ligjit. Kryeministri e ka shkelur premtimin e tij se “nuk do të përdorte imunitetin për të mbrojtur të korruptuarit”. Sot jemi në fazën ku ai i ka shpallur luftë të hapur SPAK-ut dhe Reformës në Drejtësi. Kjo është një luftë e vonuar e një njeriu që prej vitesh orvatet t’i bëjë gropën drejtësisë së re… një drejtësi që, koha e tregoi, ai e votoi me kokën poshtë dhe kartonin lart.
Shqipëria nuk ka problem me drejtësinë që vepron. Shqipëria ka problem me korrupsionin që sundon dhe me një pushtet që ka vendosur të mbrojë veten, jo qytetarët.
Kuvendi nuk është zyrë avokatie e Kryeministrit! Deputetët nuk janë mburoja për ministrat dhe zëvendëskryeministrat. Ata janë aty për të mbrojtur interesin publik, jo interesin e pushtetit. Çdo votë kundër drejtësisë, është votë pro vjedhjes!