
Këtë të hënë po zhvillohet mbledhja e Komisionit për Çështjet Ligjore dhe Administratën Publike, ku po shqyrtohet projektligji për mbrojtjen nga diskriminimi.
Gjatë fjalës së tij, Taulant Balla u shpreh se projektligji është i rëndësishëm dhe synon harmonizimin e legjislacionit shqiptar me standardet e Bashkimit Evropian, duke theksuar se nuk duhet të shndërrohet në çështje përplasjeje politike.
“Ky është një projektligj për të cilin nuk duhet të ndahemi në taborë politike. Nuk ka as hapësira dhe as mbyllje hapësira. Në vitin 2020 kam qenë po propozues. Ndryshimet që propozojmë synojnë harmonizimin e legjislacionit shqiptar me tre direktiva të BE. Ky projektligj vjen si përafrim me standardet e BE. Synimi është të shmangim çdo formë të trajtimit të pabarabartë”, tha Balla.
Nga ana tjetër, deputeti Saimir Korreshi theksoi se mbështet masa të forta, por pa kaluar kufijtë e diskriminimit.
“Jemi për masa të forta, por jo të kalojnë në diskriminuese”, u shpreh Korreshi.
Diskutimet në Komision pritet të vijojnë edhe në orët në vijim, përpara se projektligji t’i kalojë seancës plenare për shqyrtim.