Vendosni fjalën kyçe....

Berisha reagon pas paraqitjes në SPAK: Rama u tmerrua nga hetuesit e BKH-së, mori garanci për Ballukun



Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, pas paraqitjes së tij në SPAK në zbatim të masës së sigurisë “detyrim paraqitje”, u ndal për një prononcim për mediat, ku komentoi deklaratat e kryeministrit Edi Rama lidhur me hetuesit e Byrosë Kombëtare të Hetimit, të cilët kishin kryer kontrolle në ambientet e Kryeministrisë.

Berisha u shpreh se vendimi i Gjykatës Kushtetuese në rastin e Belinda Ballukut i ka dhënë garanci kryeministrit dhe ka mbyllur, sipas tij, çdo mundësi për hetimin e ministrave.

“Me patllake dërrase, më patllake të vërteta nuk do kenë se na e tmerruan kryeministrin. Kishte mbajtur të fshehtë mbi 20 ditë shkuarjen e agjentëve të BKH në Kryeministri me patllake. Rama i tmerruar e mbajti të fshehtë dhe e nxori të nesërmen e vendimit antikushtetueses. Kjo i dha zemër Ramës”, tha Berisha.

Ai shtoi se pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese, sipas tij, është bllokuar hetimi penal ndaj anëtarëve të qeverisë.

“Pas vendimit të GJK mbyllet çdo mundësi të hetohen ministra. Ai mori garanci për këtë. Nëse nuk ka pezullim, imunitetin dhe arrestimin nuk e lejon kurrë. Ajo masë që u kishte ngelur në duar Prokurorisë, ishte pezullimi në rastin e ministrave dhe këtë pasi GJK deri në tjegulla e bllokoi. Një akt si ky nuk ka ndodhur”, deklaroi Berisha.

Deklaratat e Berishës vijnë në vijim të debatit publik mes mazhorancës dhe opozitës lidhur me veprimtarinë e organeve të drejtësisë dhe vendimet e fundit të Gjykatës Kushtetuese.