
Autoritetet australiane kanë dënuar ashpër një sulm të armatosur, të cilin e cilësojnë si një akt të qëllimshëm terrorist ndaj komunitetit hebre, pasi të paktën 11 persona humbën jetën në Bondi Beach gjatë festimit të Hanukës, përcjell Euronews.
Sipas policisë, një nga autorët e dyshuar të sulmit është vrarë, ndërsa i dyti ndodhet në gjendje kritike për jetën. Të paktën 29 persona janë transportuar në spital për të marrë ndihmë mjekësore. Autoritetet kanë bërë të ditur se hetimet janë në vijim dhe po drejtohen nga njësia kundër terrorizmit, ndërsa ka indicie të forta se komuniteti hebre ka qenë shënjestra e drejtpërdrejtë e sulmit.
Kryeministri i Australisë, Anthony Albanese, e cilësoi ngjarjen si një akt të rëndë terrori dhe antisemitizmi.
“Ky është një sulm i shënjestruar ndaj hebrenjve australianë në ditën e parë të Hanukës. Një akt i keq antisemitizmi dhe terrorizmi, që ka goditur në zemër të kombit tonë”, u shpreh Albanese në një konferencë për shtyp.
Ngjarja ka shkaktuar reagime të forta edhe në arenën ndërkombëtare. Presidenti i Francës, Emmanuel Macron, e dënoi sulmin si “një akt terrorist antisemit” dhe theksoi se do të vijojë lufta kundër urrejtjes antisemitike. Kryeministrja italiane Giorgia Meloni shprehu ngushëllimet për familjet e viktimave dhe bëri thirrje për vendosmëri kundër çdo forme dhune dhe antisemitizmi.
Edhe Presidenti i Izraelit, Isaac Herzog, reagoi pas sulmit, duke shprehur solidaritet me komunitetin hebre në Australi.
“Zemrat tona janë me motrat dhe vëllezërit tanë hebrenj në Sidnei, të cilët u sulmuan nga terroristë të urryer ndërsa po ndiznin qiriun e parë të Hanukës”, deklaroi Herzog.
Autoritetet australiane kanë shtuar masat e sigurisë në zonat e ndjeshme, ndërsa hetimet vijojnë për të zbardhur plotësisht rrethanat dhe motivet e këtij sulmi të rëndë.