
Kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, ka reaguar pas deklaratave të kryeministrit Edi Rama mbi vendimin e Gjykatës Kushtetuese për rikthimin në detyrë të ministres Belinda Balluku. Në podcastin “Flasim”, Rama e cilësoi vendimin si një “precedent unik në botë”, duke thënë se ky vendim eliminon një brutalitet dhe ngre nevojën për reflektim ndërinstitucional.
Bardhi kundërshtoi këtë interpretim, duke theksuar se precedent unik në botë është Shqipëria, ku një zëvendës-kryeministre dhe ministre e pandehur vazhdon detyrën ndërsa ka masë sigurimi personal që i ndalon daljen jashtë vendit.
Ai shtoi se precedent unik është paracaktimi i tenderave nga një ministër në shtëpinë e tij dhe drejtimi i punëve të shtetit me SMS urdhëruese ndaj vartësve, si dhe që dy institucionet më të mëdha shtetërore, ARRSH dhe KESH, kanë drejtuesit në “arrest shtëpie” dhe ata vazhdojnë të jenë në krye të këtyre institucioneve.
Bardhi tha gjithashtu se precedent unik është të kthesh korrupsionin në sistem dhe të sillesh si i papërgjegjshëm duke bërë sikur nuk ka ndodhur asgjë. Ai theksoi se rikthimi i Ballukut në detyrë rrezikon prishjen e provave dhe intimidimin e dëshmitarëve, dhe se zyra e Kryeministrit është shndërruar në një zyrë avokatie për një të pandehur që ka shkaktuar dëm shtetit prej të paktën 50 milionë eurosh.
Sipas Bardhit, këto janë shembuj të qartë të përkeqësimit të standartit institucional dhe mungesës së përgjegjësisë në qeverisje.