
Mbreti Charles III deklaroi të premten se diagnostikimi dhe trajtimi i hershëm do t’u mundësojnë mjekëve të reduktojnë trajtimin e tij kundër kancerit në vitin e ri, teksa inkurajoi qytetarët që të përfitojnë nga programet e depistimit, të cilat mund ta zbulojnë sëmundjen herët, kur është më e lehtë për t’u trajtuar, përcjell AP.
Charles, 77 vjeç, e bëri të ditur këtë perspektivë pozitive përmes një mesazhi të regjistruar, të transmetuar në televizionin britanik, si pjesë e një fushate që synon promovimin e depistimit, i cili rrit ndjeshëm gjasat për trajtim të suksesshëm.
“Diagnostikimi i hershëm, shumë thjesht, shpëton jetë,” tha mbreti.
“E di gjithashtu se çfarë ndryshimi ka bërë kjo në rastin tim personal, duke më mundësuar të vazhdoj të bëj një jetë të plotë dhe aktive, edhe pse jam ende në trajtim,” shtoi ai.
Pallati Buckingham njoftoi se trajtimi i tij po kalon në një “fazë parandaluese” dhe se gjendja shëndetësore e mbretit do të monitorohet për të garantuar rikuperimin e tij të vazhdueshëm.
Mesazhi i së premtes është shembulli më i fundit se si Charles ka përdorur historinë e tij personale për të rritur ndërgjegjësimin mbi kancerin dhe trajtimin e tij, që prej njoftimit të diagnozës në shkurt të vitit 2024. Kjo duket se ka pasur ndikim, pasi organizatat bamirëse britanike kundër kancerit kanë raportuar rritje të ndjeshme të interesit të njerëzve për informacione rreth sëmundjes, pas deklarimit të mbretit se ishte në trajtim.
Megjithatë, mbreti nuk ka bërë asnjëherë publike llojin e kancerit që ka apo trajtimin specifik që po ndjek. Pallati Buckingham tha se kjo është një zgjedhje e qëllimshme, për të siguruar që mesazhi i tij të arrijë tek sa më shumë njerëz të jetë e mundur.
“Këshilla nga ekspertët e kancerit është se, në përpjekjen e Tij Madhërore për të mbështetur të gjithë komunitetin e prekur nga kanceri, është më e përshtatshme që ai të mos flasë për gjendjen e tij specifike, por t’u drejtohet të gjithë atyre që preken nga të gjitha format e kësaj sëmundjeje,” thuhet në një deklaratë të pallatit.
Kanceri i mbretit u zbulua pas një trajtimi për zmadhim të prostatës. Ndërsa mjekët përjashtuan kancerin e prostatës, analizat zbuluan “një problem tjetër shqetësues”, kishin deklaruar zyrtarët e pallatit vitin e kaluar.
Pas diagnozës, Charles pezulloi daljet publike për rreth dy muaj, për t’u përqendruar në trajtimin dhe rikuperimin e tij, por vazhdoi të ushtronte detyrat shtetërore dhe ruajti rolin e tij kushtetues si kreu i shtetit.
Ai u rikthye në publik në prill të vitit të kaluar, me një vizitë në një qendër trajtimi të kancerit në University College Hospital në Londrën qendrore, ku u takua me stafin mjekësor dhe bisedoi me pacientë të tjerë që po luftonin me sëmundjen.
“Është gjithmonë pak tronditëse, apo jo, kur ta thonë,” u shpreh ai me empati ndaj një pacienteje, ndërsa ilaçet e kimioterapisë i rridhnin në krah.
Vendimi i Charles për të bërë publike diagnozën përbën një largim nga tradita e familjes mbretërore britanike, e cila historikisht e ka konsideruar shëndetin si çështje private dhe ka ndarë pak detaje me publikun.
“Siç e kam vëzhguar edhe më parë, momentet më të errëta të sëmundjes mund të ndriçohen nga dhembshuria më e madhe,” tha ai. “Por dhembshuria duhet të shoqërohet me veprim. Këtë dhjetor, teksa reflektojmë për vitin që lamë pas, lutem që secili prej nesh të marrë një angazhim, si pjesë e vendimeve për vitin e ri, për të luajtur rolin e vet në zbulimin e hershëm të kancerit.
“Jeta juaj — ose jeta e dikujt që doni — mund të varet prej kësaj,” përfundoi ai.