
Nëse ndonjëherë keni ndjerë se një ditë e mbushur me mbledhje pa pushim ju shteron energjinë, nuk jeni të vetëm.
Një studim i Microsoft tregon se mbledhjet e njëpasnjëshme, pa pushime, rrisin realisht nivelet e stresit në tru.
Në vitin 2021, studiuesit e Laboratorit të Faktorëve Njerëzorë të Microsoft monitoruan aktivitetin e trurit të 14 personave gjatë thirrjeve me video, përmes elektroencefalogramit.
Një grup zhvilloi katër takime nga 30 minuta pa pushime, ndërsa grupi tjetër kishte pushime 10-minutëshe mes tyre. Javën pasuese, grupet ndërruan rolet.
Rezultatet treguan se tek pjesëmarrësit pa pushime, aktiviteti i valëve beta, i lidhur me stresin, rritej me çdo takim pasues.
Madje, edhe pritja e takimit të radhës shkaktonte rritje të stresit. Ndërkohë, tek ata që kishin pushime, aktiviteti beta mbeti i qëndrueshëm.
Studiuesit analizuan gjithashtu asimetrinë ballore alfa, një tregues i angazhimit mendor.
Pjesëmarrësit me pushime shfaqën nivele më të larta përqendrimi dhe angazhimi, ndërsa ata pa pushime rezultuan më pak të angazhuar mendërisht.
Edhe pse kampioni ishte i vogël, studimi përputhet me kërkime të tjera që tregojnë se mbingarkesa me mbledhje ul produktivitetin dhe rrit pakënaqësinë.
Në një sondazh me 76 kompani, reduktimi i mbledhjeve me 40% çoi në më shumë se dyfishim të produktivitetit dhe rritje të kënaqësisë së punonjësve me 52%.
Ekspertët rekomandojnë që pushimet mes mbledhjeve të mos shpenzohen në email apo rrjete sociale, por në aktivitete që ndihmojnë çlodhjen, si ecja ose ushtrimet e frymëmarrjes.
Edhe disa minuta pushim mund të bëjnë një ndryshim të ndjeshëm në stres dhe përqendrim.
Mesazhi është i qartë: një frymëmarrje e shkurtër është më efektive sesa “të durosh” një maratonë mbledhjesh pa pushim. /Monitor