Vendosni fjalën kyçe....

Euroskeptiku betohet si kryeministër i Republikës Çeke


Euroskeptiku i krahut të djathtë, Andrej Babis, i cili bëri fushatë me premtimin për të kufizuar ndihmën ushtarake për Ukrainën dhe për t’u pë`rqendruar në çështjet e brendshme, është betuar si kryeministri i ri i Republikës Çeke.

Partia e Babisit, ANO, fitoi zgjedhjet parlamentare në tetor, por nuk arriti shumicën, dhe ka formuar një koalicion me partitë SPD dhe AUTO. Politikani veteran ka shërbyer si kryeministër ndërmjet viteve 2017 dhe 2021, dhe më parë si ministër i Financave dhe zëvendëskryeministër.

Babis, 71 vjeç, falënderoi mbështetësit e tij për besimin që i dhanë partisë së tij në një deklaratë të shkurtër në platformën X.

“Premtoj se do jem një kryeministër që mbron interesat e të gjithë qytetarëve tanë brenda dhe jashtë vendit, dhe që do punoj për ta bërë Republikën Çeke vendin më të mirë për të jetuar në të gjithë planetin,” shkroi ai.

Në fjalimin e tij në Kështjellën e Pragës pas ceremonisë së emërimit, Babis tha se do të përballet me Brukselin jo vetëm për ndihmën ndaj Ukrainës, por edhe për energjinë, TVSH-në dhe tarifat, shkruan Rt.

Politikani është zotuar se do kundërshtojë politikën e emigracionit të bllokut dhe planet e tij për kufizimin e emetimeve të karbonit.

Babish ka premtuar prej kohësh se do zhvendosë fokusin e qeverisë çeke në çështjet e brendshme, duke kritikuar ndihmën shtetërore për Ukrainën të ofruar nën paraardhësin e tij Petr Fiala, nën të cilin vendi nisi një skemë të madhe ndërkombëtare të prokurimit të municioneve për Kievin.

“Nuk do t’i japim Ukrainës asnjë cent nga buxheti ynë për armë,” tha Babis menjëherë pasi partia e tij fitoi në fillim të këtij viti.

Kryeministri hungarez Viktor Orban, një tjetër kritik i hapur i ndihmës ushtarake për Ukrainën, e uroi Babisin për marrjen e detyrës.

“Një patriot çek i përkushtuar është kthyer në krye,” shkroi ai në X të martën.