
Paga minimale në Kosovë do të rritet në 425 euro bruto duke nisur nga muaji janar 2026, një ndryshim i rëndësishëm pas disa vitesh pa rritje. Aktualisht, paga minimale është 350 euro, ndërsa vendimi i Qeverisë parashikon edhe një fazë të dytë të rritjes.
Sipas këtij plani, nga 1 korriku 2026, paga minimale do të arrijë në 500 euro bruto, duke u bërë kështu rritja më e madhe e këtij niveli pagese në dekadën e fundit.
Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka rikujtuar vendimin pak ditë para zgjedhjeve të parakohshme, duke theksuar se rreth 150 mijë punëtorë të sektorit privat do të përfitojnë drejtpërdrejt nga kjo rritje.
“Nga muaji i ardhshëm paga minimale bëhet 425 euro bruto nga 350 euro sa është tash. Kurse nga 1 korriku fillon zbatimi i fazës së dytë ku paga minimale bëhet 500 euro, siç edhe e kemi paraparë me vendimin që kemi marrë si Qeveri”, deklaroi Kurti.