Vendosni fjalën kyçe....

Tajlanda e Kamboxhia luftë përgjatë kufirit, çfarë po ndodh mes fqinjve


Luftimet janë rishfaqur mes Tajlandës dhe Kamboxhias në disa pika të kufirit të tyre të kontestuar, me të dyja palët që fajësojnë njëra-tjetrën për nisjen e përleshjeve. Tajlanda ka kryer edhe sulme ajrore ndaj asaj që i cilësoi si objektiva ushtarake kamboxhiane.

Përshkallëzimi i ri i dhunës paraqet një provë serioze për armëpushimin e ndërmjetësuar nga presidenti i SHBA-së, Donald Trump, në korrik.

Cila është gjendja aktuale?

Konflikti shpërtheu para agimit të së hënës, me përleshje të raportuara në pesë zona përgjatë kufirit, sipas ushtrisë tajlandeze. Ministria e Mbrojtjes e Kamboxhias deklaroi se forcat e saj ishin sulmuar, por nuk ishin kundërpërgjigjur dhe se po respektonin armëpushimin, duke akuzuar Tajlandën për “veprime të shumta provokuese”.

Nga ana tjetër, ushtria e Tajlandës tha se trupat e saj u vunë nën sulm dhe akuzoi forcat kamboxhiane për përdorimin e raketave BM-21 të montuara në kamionë kundër zonave civile. Sipas Tajlandës, Kamboxhia ka përdorur gjithashtu granatahedhës, artileri dhe dronë për të hedhur eksplozivë mbi pozicionet tajlandeze.

Forca Ajrore e Tajlandës njoftoi se avionët e saj luftarakë kryen sulme ajrore herët në mëngjes, duke shënjestruar instalime ushtarake, pas vlerësimeve se Kamboxhia kishte mobilizuar armë të rënda dhe kishte zhvendosur njësitë e saj luftarake.

Sipas autoriteteve tajlandeze, rreth 380,000 persona janë zhvendosur në strehimore, ndërsa autoritetet kamboxhiane raportuan zhvendosjen e 1,157 familjeve nga provinca Oddar Meanchey.

Kryeministri i Malajzisë, Anwar Ibrahim, i cili kishte ndihmuar në ndërmjetësimin e armëpushimit fillestar, u ka bërë thirrje palëve të tregojnë përmbajtje për të shmangur shembjen e marrëveshjes së paqes.

Çfarë e shkaktoi rifillimin e luftimeve?

Ky përshkallëzim konsiderohet më seriozi që nga shkëmbimi pesëditor i raketave dhe artilerisë së rëndë në korrik, që ishte episodi më i rëndë i dhunës në historinë e tyre të afërt. Në atë kohë, të paktën 48 persona u vranë dhe rreth 300,000 u zhvendosën, derisa ndërhyrja e Trump çoi në një armëpushim.

Nuk është ende e qartë se çfarë e shkaktoi shpërthimin e fundit, por tensionet janë rritur që prej 10 nëntorit, kur një ushtar tajlandez u plagos nga një minë tokësore. Pas këtij incidenti, Tajlanda pezulloi masat e de-eskalimit të rëna dakord në një marrëveshje të përmirësuar armëpushimi, e nënshkruar disa javë më parë në Malajzi në prani të Trump.

Tajlanda pretendon se mina ishte një nga disa të vendosura rishtas nga Kamboxhia dhe ka deklaruar se nuk do të rifillojë masat e de-eskalimit derisa Kamboxhia të kërkojë falje. Kamboxhia i ka mohuar vazhdimisht këto akuza.

Trump, i cili është nominuar nga Kamboxhia për Çmimin Nobel për Paqen, muajin e kaluar u kishte bërë thirrje udhëheqësve të të dy vendeve që të respektonin marrëveshjen e armëpushimit.

Si krahasohen dy vendet nga ana ushtarake?

Tajlanda zotëron një ushtri shumë më të madhe dhe më të financuar krahasuar me Kamboxhian. Ajo ka rreth tre herë më shumë personel aktiv dhe një buxhet mbrojtjeje për vitin 2024 që është afro katër herë më i madh.

Ushtria kamboxhiane numëron rreth 75,000 ushtarë, më shumë se 200 tanke beteje dhe rreth 480 mjete artilerie. Në krahasim, Tajlanda ka rreth 245,000 trupa aktive, rreth 400 tanke, mbi 1,200 transportues të blinduar personeli dhe rreth 2,600 njësi artilerie.

Forca Ajrore e Tajlandës disponon gati 40 avionë luftarakë dhe dhjetëra helikopterë, ndërsa Kamboxhia ka rreth 16 helikopterë me shumë role, por nuk ka avionë luftarakë.

Cila është origjina e mosmarrëveshjes?

Tajlanda dhe Kamboxhia kanë më shumë se një shekull që kundërshtojnë sovranitetin mbi disa zona të pademarkuara përgjatë kufirit të tyre tokësor prej 817 kilometrash. Kufiri u hartua fillimisht në vitin 1907 nga Franca, kur Kamboxhia ishte koloni franceze.

Harta, e cila më vonë u kundërshtua nga Tajlanda, u bazua në parimin që kufiri të ndiqte vijën natyrore të ndarjes së ujërave mes dy vendeve. Në vitin 2000, të dyja palët ranë dakord të krijonin një komision për zgjidhjen paqësore të pretendimeve, por përparimi ka qenë minimal.

Pretendimet mbi vendndodhjet historike kanë nxitur nacionalizmin dhe tensionet, veçanërisht në vitin 2003, kur protesta të dhunshme çuan në djegien e ambasadës dhe bizneseve tajlandeze në Phnom Penh, pas një deklarate të supozuar që vinte në dyshim sovranitetin e Kamboxhias mbi Angkor Wat.

Tempulli hindu i shekullit XI, Preah Vihear (i njohur në Tajlandë si Khao Phra Viharn), ka qenë në qendër të mosmarrëveshjes. Në vitin 1962, Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë ia njohu tempullin Kamboxhias, por Tajlanda vazhdoi të pretendonte zonën përreth. Tensionet u përshkallëzuan sërish në vitin 2008, kur Kamboxhia kërkoi ta regjistronte tempullin si trashëgimi botërore të UNESCO-s, çka çoi në përleshje dhe dhjetëra viktima, përfshirë një shkëmbim artilerie njëjavor në vitin 2011.

Çfarë qëndron pas tensioneve të këtij viti?

Në vitin 2024, ndjenjat nacionaliste u rritën në Tajlandë, pasi qarqe konservatore kundërshtuan një plan qeveritar për negociata me Kamboxhian mbi shfrytëzimin e përbashkët të burimeve energjetike në det të hapur, duke paralajmëruar se kjo mund të çonte në humbje territoriale.

Në maj, një ushtar kamboxhian u vra gjatë një përleshjeje të shkurtër me forcat tajlandeze, duke nxitur të dy vendet të forconin praninë ushtarake në kufi. Rreth të njëjtës kohë, Kamboxhia dërgoi në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë mosmarrëveshjet lidhur me katër zona tempullesh.

Kriza kufitare kontribuoi gjithashtu në rënien e kryeministres tajlandeze Paetongtarn Shinawatra. Në gusht, ajo u shkarkua nga një gjykatë pasi përpjekja e saj për të ulur tensionet dështoi, kur u publikua një telefonatë e ndjeshme me ish-kryeministrin me ndikim të Kamboxhias, Hun Sen, duke shkaktuar reagim dhe zemërim të fortë publik, shkruan Reuters.