Vendosni fjalën kyçe....

Kryeprokurori Çela nga Fieri: Qëllimi i vizitës sime krimet zgjedhore, shumë shpejt do kemi rezultate


Këtë të hënë Prokurori i Përgjithshëm Olsian Çela vizitoi Prokurorinë e Fierit, ku përpara i dolën një grup qytetarësh të cilët iu ankuan atij se nuk po shihnin drejtësi nga institucionet.

Në Fier, Çela tha se ka zhvilluar takime me prokurorët e rrethit lidhur me hetimet për krime zgjedhore.

Ai tha përpara gazetarëve se ka pasur një numër të konsiderueshëm të çështjeve për krime zgjedhore, për të cilat sipas tij do ketë rezultate shumë shpejt.

“Ka pasur numër të konsiderueshëm të çështjeve për hetime për krime zgjedhore. Shumë shpejt do kemi rezultate të cilat do ti tregohen publikut.”– tha Çela.

Kryeprokurori tha se përveç krimeve zgjedhjore kanë diskutuar edhe për hetimet pasurore.

 “Qëllimi i vizitës lidhet me situatën e hetimit të krimeve zgjedhore nga Prokuroria e Fierit. Janë disa takime që po bëhen në lidhje me krimet zgjedhore. Është e rëndësishme që të tregohet kujdes maksimal nga prokurorët për hetimin e plotë e të shpejtë, si dhe për të treguar transparencë.

Arsyeja e dytë ka të bëjë më hetimet pasurore dhe evazionin fiskal, funksionimi i një seksioni të posaçëm që Prokuroria e Fierit ka për pastrimin e produkteve të veprës penale dhe evazionit fiskal, për rritje të efikasitetit për evazionin dhe ligjin anti-mafia. Janë të rëndësishme rezultatet në këtë drejtim, pasi ka shumë kërkesa nga ndërkombëtarët për luftën ndaj pastrimit të parave, korrupsionin dhe krimin e organizuar.”– ka deklaruar Çela pas vizitës së tij në Fier.

Ai do të niset gjithashtu drejt Vlorës për takime të ngjashme.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *